Disa shtete perëndimore po punojnë për trajtimin e procedurave të azilit në vende të treta për arsye logjistike. Britania e Madhe ka modelin e Ruandës, ndërsa Italia dhe Shqipëria kanë rënë dakord që një numër i caktuar emigrantësh çdo vit t’i nënshtrohen procedurës për azil në tokën shqiptare.
“Jam entuziaste kur shoh se çfarë po bëjnë Italia dhe Shqipëria së bashku. Italia do që procedurat e azilit t’i kryejë në Shqipëri. Është një model interesat, të cilin po e diskutoj me homologen time italiane,” shprehet Nensi Fezer (o. Nancy Faeser), ministrja gjermane e Punëve të Brendshme dhe të Komunitetit, në një intervistë për revistën gjermane “Stern”.
Qeveria qendrore dhe drejtuesit e landeve të Gjermanisë po shqyrtojnë mundësinë për të ndjekur një shembull të ngjashëm për procesimin e azilkërkuesve jashtë Bashkimit Europian.
Ministrja Fezer thotë se kjo çështje është e komplikuar, pasi duhen gjetur vendet e gatshme për të pritur një fluks të lartë refugjatësh, që ata të jenë të sigurt atje dhe t’u respektohen të drejtat themelore të njeriut.
Shembulli i Ruandës duket i vështirë për t’u ndjekur, thotë vartësja e kryeministrit socialdemokrat, Olaf Sholc (o. Scholz). Qeveria konsveratore britanike ka vendosur të dërgojë drejt shtetit afrikan personat që kanë hyrë në Britaninë e Madhe pa leje dhe mund të aplikojnë prej andej për azil
Ndërkohë raportohet se katër lande gjermane i kanë shprehur rezerva Ministrisë së Brendshme se po hasin probleme me kthimin e emigrantëve për të cilët është vendosur largimi nga vendi. /Stern