Nevoja për një ekuilibër mes mësimit profesional dhe atij akademik, është nënvizuar edhe në forumin Botëror të Edukimit në Londër ku u bënë bashkë rreth 100 Ministra të Arsimit nga e gjithë bota.
Në vendin tonë, edhe pse kurrikula e këshillimit të karrierës në shkolla ka gjetur pjesërisht zbatim, ndryshimi i mendësisë për qasjen ndaj profesioneve, mbetet ende një sfidë.
“Jo të gjithë nxënësit kanë mundësinë të ndjekin studimet e thelluara në degë të caktuara. Sipërmarrësit ankohen se nuk gjejnë punëtorë dhe anasjelltas, tregu është i çorientuar. E mira është që nxënësit të ndjekin talentet e tyre por prindërit ndikojnë në këtë drejtim, ata shikojnë dëshirat e tyre të paplotësuara tek fëmijët”, tha Rozavana Nano, mbikqyrëse e këshillimit të karrierës, gjimnazi “Qemal Stafa”.
Gjatë këtij viti shkollor, rreth 400 nxënës u transferuan nga gjimnazet në shkollat profesionale, shifër shumë e ulët krahasuar me nevojat.
“Ne si mësues flasim vazhdimisht për rëndësinë e zanateve, pozicionimin e tyre në treg aktualisht ku kërkesat janë në rritje. Por nxënësit ndikohen edhe nga modelet që shohin në internet, qarkullon më shumë informacion por sigurisht kanë nevojë për orientim dhe të dhëna të sigurta ”, u shpreh ajo.
Bizneset tashmë janë më pranë shkollave profesionale përmes sigurimit të praktikave dhe punësimit në kohë të shpejtë të nxënësve, por rritja e kërkesës sidomos në shtete të BE-së dhe kushtet e kënaqshme të punës, mbeten një sfidë më vete për vendin tonë./a.m. (vizionplus.tv)