Përgjimi i pajisjeve telefonike dhe kartave SIM është një nga mjetet efektive të përdorura nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit për të arritur tek provat ndaj zyrtarëve të korruptuar dhe anëtarëve të grupeve kriminale.
Në krahasim me vitin 2022, Prokuroria e Posaçme thotë se gjatë vitit 2023 ka pasur rritje të ndjeshme të rasteve të ndjekura përmes metodës së përgjimit.
“Gjatë vitit 2023, Prokuroria e Posaçme ka përdorur metodën e përgjimit për 186 procedime penale ku janë interceptuar 3335 pajisje fundore (pajisja/numri telefonik i subjektit në përgjim), ku vërehet rritje krahasuar me vitin 2022”, shkruan newsbomb
Rastet e korrupsionit ku janë të përfshirë politikanët, zyrtarët e lartë dhe funksionarët shtetëror zënë pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar dhe aplikuar metoda e përgjimit.
Në vitin 2023, pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi, e kryesojnë çështjet e hetuara për veprën penale të korrupsionit me 109 procedime penale ku janë interceptuar 1436 pajisje fundore, nga 69 procedime penale dhe interceptuar 1023 pajisje fundore, të aplikuara ne vitin 2022.
“Duhet cilësuar se ka pasur një rritje të aplikimit të metodave të hetimit proaktiv, në rastin e përgjimeve telefonike, por është rritur gjithashtu edhe aplikimi i metodave të posaçme te hetimit si: vëzhgime, kontrolle, simulime, sekuestro i provave materiale, letërporosi, agjentë të infiltruar etj”, vijon raporti i SPAK./m.j