Ushtria e Kinës ka nisur ditën e dytë të stërvitjes ushtarake rreth Tajvanit për të testuar aftësinë e tyre për të “marrë pushtetin” dhe kontrollin e zonave kyçe. Pamjet e transmetuara në TV treguan avionë luftarakë kinezë duke u ngritur dhe Ushtrinë Çlirimtare Popullore (PLA) duke marrë pjesë në stërvitjen ushtarake.
Roja bregdetare e Tajvanit bëri të ditur se në ditën e dytë të stërvitjeve ushtarake të nisura nga Pekini, katër anije të rojes bregdetare kineze hynë sot në “ujërat e kufizuar” të dy ishujve tajvanezë.
“Është hera e tetë këtë muaj që anijet e rojes bregdetare kineze hyjnë në ujëra të kufizuar,” tha roja bregdetare tajvaneze, duke shtuar se anijet u nisën rreth orës 9 të mëngjesit me orën lokale.
“Ne i bëjmë thirrje Kinës të ushtrojë vetëpërmbajtje dhe të ndalojë menjëherë sjelljen e saj irracionale,” shton Taipei.
Kina, e cila e sheh Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si territorin e saj dhe e denoncon Lain si një “separatist”, denoncoi fjalimin e tij të inaugurimit të hënën më 20 maj, në të cilin ai i kërkoi Pekinit të ndalonte kërcënimet e tij dhe tha se të dy anët e ngushticës ishin “jo në varësi të njëri-tjetrit”.
/a.r