Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar propozimin për mënyrën se si do të votojë diaspora shqiptare. Votimi do të jetë elektronik dhe me postë.
Periudha e votimit nga jashtë vendit do të duhet të zgjasë disa ditë para datës së zgjedhjeve “brenda vendit”. Votuesi do të ketë mundësinë të votojë disa herë deri në afatin e mbylljes së votimit. Vetëm vota më e fundit në kohë do të numërohet. Kjo mënyrë votimi është aplikuar në: Estoni, Gjermani, Kanada, Australi (New South Wales), Francë, etj.
Për të hapur sesionin e votimit, votuesi akseson profilin e tij të krijuar gjatë regjistrimit. Për të garantuar maksimalisht sigurinë e log-imit dhe identifikimit, sistemi do të përdorë verifikimin me 3 faktorë: Teknologjinë FaceID Liveness, fjalëkalimin personal, të krijuar pas regjistrimit (të cilin ai e ndryshon vetë) dhe kodin unik 6 shifror të përkohshëm.
Kodimi i të dhënave të identitetit është tërësisht i ndryshëm në metodologji e parametra nga kodimi i votës, si dhe anasjelltas. Kjo e bën të pamundur lidhjen e votuesit me votën.
Si votohet?
Votuesi logs-in në llogarinë e tij sipas përshkrimit më lart. Sistemi kontrollon nëse këto të dhëna përputhen me ato të deklaruara gjatë krijimit të llogarisë.
Votuesit i shfaqet fleta elektronike e votimit.
Për tu siguruar se vullneti i votuesit nuk është cënuar, atij i kërkohet të konfirmojë zgjedhjen që ka bërë ose të kthehet pas e të bëjë zgjedhjen që kishte qëllim të bënte.
Pasi ka konfirmuar zgjedhjen e tij, në pajisjen ku kreu procesin e votimit, votuesit i shkarkohen 2 QR Kodet.
Votuesi mund të dërgojë QR kodet në KQZ: elektronikisht; ose i printon dhe i dërgon me postë në adresën fizike të KQZ (zarf brenda zarfit, secili i mbyllur)./m.j