Mali i Zi ka deportuar 58 të huaj, përfshirë 43 rusë, që kanë lidhje me kultet fetare. Policia nuk ka dhënë emrin e grupit fetar, por mediet lokale kanë raportuar se ata janë anëtarë të Aum Shinrikyo, kultit japonez që kreu një sulm me gaz nervor vdekjeprurës në një metro në Tokio, në vitin 1995.
Policia malazeze thotë se grupi është larguar pasi ata nuk kanë pasur leje të përhershme qëndrimi në Mal të Zi. Policia thotë se në mesin e të larguarve kishte japonezë, ukrainas dhe uzbekë. Gjithashtu ata thanë se anëtarët e grupit po qëndronin në dy hotele në Mal të Zi. Asnjë arrestim nuk është bërë me këtë rast.