Enigma për kufomën e shtetases shqiptare të vrarë në Amsterdam më 1997 ka marrë fund. Tashmë është mësuar se ajo i përket Zyrah Hidës me banim në lagjen “11 nëntori” në Elbasan. Nëna e tre djemve ka një histori shumë të dhimbshme. Sipas së motrës, Xhuljeta Hida, ajo është martuar që kur ishte 14 vjeç me Petrit Baushin, me banim në fshatin Muriqan të Cërrikut. Por gjërat nuk kanë shkuar mirë. Mes çiftit ka pasur grindje të vazhdueshme e për pasojë ka ardhur edhe divorci. Më pas janë ribashkuar sërish dhe kanë qëndruar te shtëpia e motrës së burrit në një lagje periferike të Elbasanit. Këtu e ndjera është përballur me një realitet akoma më të hidhur. Është rrahur, është keqtrajtuar, është përbuzur nga bashkëshorti dhe njerëzit e tjerë të tij. Ka bashkëjetuar njëkohësisht me gruan e dytë të bashkëshortit. Ka ndarë një krevat me të. Është rikthyer sërish në familje. Por aty nuk e kanë pranuar. Është detyruar të kthehet sërish tek bashkëshorti dhe aty kanë nisur negociatat për ta shitur si prostitutë në Itali. Është shitur për 100 mijë lekë.
Në nëntor të vitit 1996 ka hyrë në kontakt me Xhuljetën, ku e ka njoftuar se ndodhej në Romë nën kujdesin e një personi me emrin Titi. Për vit të ri ka sjellë edhe 60 mijë lekë, me premtimin se do të sillte sërish të tjera. Kontakti i fundit me motrën ka qenë në mars të vitit 1997. Më pas nuk kanë pasur asnjë njoftim. Xhuljeta Hida shprehet se në atë kohë ka kryer kallëzim penal për zhdukjen e së motrës. Por nuk morën vesh për fatin e saj. Kanë pasur frikë të denonconin pasi kanë menduar se trafikantët mund të hakmerreshin ndaj familjes dhe fëmijëve të saj. Xhuljeta Hida fajëson nënën dhe një nga vëllezërit e saj në këtë histori. Ajo pohon se nuk do t’i falë kurrë gjatë gjithë jetës, pasi mendon se ata kanë qenë shkaktarët që Zyraja është larguar. Familja kërkon nga shteti që të ndihmojë në ardhjen e eshtrave për të kryer varrimin në Elbasan. Për të tjerat shprehet se janë punë të policisë dhe drejtësisë.
Flet e motra: Shteti të na ndihmojë për eshtrat
Si e mësuat lajmin e vdekjes së motrës suaj?
E mësuam nga televizioni “Klan”. Prej 19 vitesh nuk kemi pasur asnjë informacion.
Si arriti deri në Holandë?
Motra ime ka qenë e divorcuar. Me probleme, e varfër. Ajo është shitur dhe njerëzit me të cilët ka ikur, ne i njohim. Kemi pasur shumë frikë dhe nuk kemi pasur mbështetje nga askush. Ka ikur në vitin 1995. Në fund të vitit 1996 vendosëm komunikimet. Fillimisht u lidh me babain, i cili në atë kohë punonte në spital. I dha numrin e telefonit. Edhe ne i dhamë numrin e telefonit që flisnim nëpër komshinjtë. Kemi folur. Kemi folur nga tetori, nëntori i 1996-s deri në mars të vitit 1997. Më pas nuk kemi pasur kontakte.
Na tregoni diçka rreth jetës së saj. A ishte e martuar, ku u martua, si shkonte me bashkëshortin?
U martua në moshën 14-vjeçe, madje pa i mbushur 14 vjeçe në një fshat të Elbasanit. Ka tre fëmijë, tre djem të cilët i ka lindur me operacion. Pas shumë konfliktesh janë ndarë. Pas 4-5 vitesh u bashkuan sërish pa bërë celebrim. Jetonin në Elbasan në një lagje periferike, te kinezët me kunatën. Ishin një familje e shthurur nga e motra e burrit. Nisi të pijë alkool. Kunati i burrit të saj merresh me femra që i dërgonte në Itali, në shtete të tjera, s’e di se ku. Në atë kohë motra u bë keq. Ka qëndruar një javë te unë në Tiranë. Dhe më tregoi se burri im ka marrë një femër tjetër. Kunata e vet e detyronte që një natë të flinte me gruan e një natë me atë që donte të shiste. Pas ca kohësh, këtë femrën që kishin marrë nga Tirana, e sjellin në Elbasan. Vijnë vëllezërit e saj dhe i thonë: Ç’ne motrën time këtu. Dhe ai i thotë se e kam marrë për kunatin (vëllain). Pastaj ndoshta ka dashur të denoncojë për ndarje, pasi kishte tre fëmijë e nuk kishte ku të qëndronte. I ka lindur me operacion, ndaj ka shenjë tek barku.
Ju thatë që jetonte me dy femra bashkëshorti i saj. Si e lejoi motra?
Po jetonte me dy njëkohësisht. Edhe me atë nga Tirana edhe me motrën, sepse e detyronin. Ndryshoi si njeri pas këtyre ngjarjeve. Ajo nisi të pinte. E keqja më e madhe është që motrën time ma kanë përzënë nëna ime dhe vëllai i vogël.
U rikthye në familje?
Po. Ajo ishte shumë e mërzitur. Nisi të pinte nga dëshpërimi. Ishte e re dhe nëna duhej t’i qëndronte pranë si prind. Ishim shumë fukarenj. Nuk kishim bukë të hanim. Rrinin zbathur. Jetonin shumë keq.
Si arriti të largohet jashtë shtetit?
Mami im ka qenë në Peqin atë ditë. Ka parë motrën, bashkë me shemrën e saj (gruan tjetër të burrit) me meshkuj të tjerë. Mami i ka thënë: Zyra hajde, ç’ne ti me këto? Shemra i ka thënë. Po e deshe, merre, ja ku e ke.
D.m.th ju mendoni se është trafikuar?
Po. Edhe është shitur.
Shitur? Sa?
Me sa kam mësuar, por nipi mund ta dijë më mirë, pasi e ka dëgjuar nga njerëzit e të atit, se e ëma e vet është shitur për 1 milion lekë (100 mijë lekë të reja).
Në Itali sa kohë qëndroi?
Nuk e di. Ajo na mori në telefon e na tha: Jam në Romë, jam mirë. Kaq. Sa herë që merrte, dukej që nuk ishte e vetme.
D.m.th kishte një tutor që nuk e lejonte?
Po. Po.
E njihni tutorin?
Po me anë të fotografive. Për vit të ri na dërgoi ca foto dhe ne ja kemi dorëzuar policisë. Tani se ka njerëz të tjerë para ose prapa atij para kësaj historie, këtë nuk di ta them.
Si u largua nga Roma në drejtim të Holandës?
Nuk di gjë fare. Vetëm kur e dëgjuam në lajme e mësuam.
Kur ka ndodhur vrasja në Holandë?
Po ajo u largua në mars. Mendoj në korrik pas disa muajsh. Në vitin 1995 dhe gjysmën e ’96-s, ajo ka qenë në Greqi. Këto ishin fjalë njerëzish, sepse unë s’e kam parë asnjëherë. Ose e kanë dërguar direkt në Itali dhe ne na gënjenin njerëzit se është në Greqi për të humbur gjurmët që të mos e kërkonim.
A e keni kërkuar humbjen e motrës suaj?
Nuk kemi pasur mundësi. Djemtë e saj kanë qenë të vegjël. Ai i mesmi as që e mban mend fare.
Çfarë kërkoni tani?
Unë si motër dhe gjithë ne familjarët kërkojmë që shteti të na ndihmojë vetëm për eshtrat. Djemtë janë jetimë, janë të varfër e pa përkrahje. Ata nuk kanë mundësi. Policia të bëjë punën e vet.
Tani që u gjend si ndjeheni? Ndoshta kishit shpresë se ishte gjallë?
Po gjithnjë me shpresa kemi jetuar. Në fakt kemi menduar se është gjallë. Se mund të jetë martuar andej. Menduam se ka ndërtuar familjen e saj. Se nuk e lejojnë. Se do të dukej një ditë. Siç e thashë, ne nuk kishim mundësi. Nuk kishim as mbështetje. Dhimbja është e madhe. Ne nuk e mendonim vdekjen. Por të paktën jam pak e lehtësuar.
Tani që u gjend, do ta falni nënën dhe vëllain?
Jo, në asnjë mënyrë. Jo dhe jam e vendosur për këtë.
Ju ende mendoni se ata janë shkaktarët?
Po, ata janë. Nuk i fal kurrë se për shkakun e tyre vdiq.
Shpëtim Hida: Si e njoha mamanë të vrarë në Amsterdam
Shpëtim dhe Marenglen Hida nuk mundën me t’i mbanin lotët kur u takuan me grupin e gazetarëve të emisionit “Varr pa emër” të televizionit holandez SBS. Pas 19 vjetësh pritje, mësuan se nëna e tyre është vrarë. Janë djemtë e Zyra Hidës, një të reje shqiptare, e cila u gjet pa jetë në një nga sheshet kryesore të Amsterdamit, korrikun e vitit 1997. Historia e saj u publikua në televizionin “Klan”, si pjesë e përpjekjeve të këtij grupi gazetarësh holandezë, për ta identifikuar. Ajo është varrosur në Amsterdam në mesin e 300 viktimave pa emër.
Djali i saj i madh, 31–vjeçar, thotë se e ka njohur menjëherë, sapo e ka parë foton e saj në edicionin e lajmeve. “Duke parë lajmet, i thashë nuses: “Kjo më duket se është mamaja ime”. – “Jo, nuk e besoj”, – tha nusja. “Po, po” – i thashë. Në atë kohë dola tek interneti, pashë fotot, mora dhe fotografitë, e verifikoj me gjithë foton dhe them, ajo është. Vjen dhe vëllai, i them dhe vëllai. Pastaj marrim në telefon tezen, lajmërojmë ata të familjes”, shprehet Shpëtim Hida. Kontaktet me nënën e tyre i kishin humbur një muaj para se ajo të zhdukej, në qershorin e ’97 -ës.
E dinin që jetonte në Romë. Prej atje u kishte dërguar disa herë para dhe dy foto. Në njërën prej këtyre fotografive ajo shfaqet nën shoqërinë e një burri. Djemtë kujtojnë se nëna e tyre i kishte thënë babait të saj, që ai quhej “Titi”. Jetonte me të në Romë. “Ky është personi që ka qenë i fundit me atë…”, thotë Shpëtimi. “Nga sa mbaj mend, – shton ai – emrin më duket se e ka Titi dhe më duket se është nga Fieri”. Djemtë e Zyrah Hidës kishin bërë disa herë përpjekje për të mësuar se fat kishte pësuar nëna e tyre. I ishin drejtuar policisë së Elbasanit.
Shpëtimi: Është nëna jonë.
Gazetari: Si e ka emrin?
Shpëtimi: Zyrah Hida. Nuk e dinim, nuk e kishim idenë nëse ekzistonte, ishte gjallë apo vdekur. Që në ’95 nuk e kishim idenë fare se ku ishte. Në ’97 u bë e gjallë, merr në telefon, ndërkohë na sjell disa lekë, herën e parë, herën e dytë. Na sjell edhe këto fotografitë. Herën e tretë, tha që do t’ju sjell lekë, nuk morëm më asnjë kontakt mbrapa, as lekët, as kontakt më me atë.
Gazetari: Këtë shtetas në foto nuk e keni parë më në Elbasan?
Shpëtimi: Nuk e kemi parë, nuk e dimë se ku jeton dhe se nga bëhet.
Gazetari: Keni dyshime se ky mund të jetë personi që mund të ketë dijeni për fatin tragjik të jetës suaj?
Shpëtimi: Nuk e dimë, nuk mund të themi. Por që është ky personi i fundit që ka qenë me të kur kemi patur ne kontakte, ky është.
Gazetari: Ju kur e keni bërë denoncimin si familje?
Shpëtimi: Në ’97, ka qenë drejtor Mond Koseni, mesa mbaj mend unë. Dhe kemi bërë 2, 3 herë denoncim aty, por nuk na kanë dhënë asnjëherë asnjë lloj informacioni.
Tani, autoritetet shqiptare kanë një tjetër sfidë. Duhet të zbulojnë nëse është ky personi që ka gisht në vrasjen e Zyrah Hidës?
Shpëtimi: Duhet ta zgjidhi, shteti, qeveria këtë punë, duhen kap personat. Si shteti, shqiptar, si ai holandez, të na ndihmojnë për të kthyer trupin e nënës sonë. Këtë kërkojmë.
TV Klan