Policia e Shtetit do të kërkojë arrestimin e deputetit të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, për armëmbajtje pa leje. Ky lajm bëhet i ditur për “Shqiptarja.com” nga burime pranë Ministrisë së Brendshme. Deputeti Strazimiri u pa dje në mes të protestuesve tek Parku i Liqenit, të përplasej me forcat e policisë, ndërkohë që mbante në brez një pistoletë që rezulton të jetë pa leje. Pas ndryshimit të ligjit për amrëmbajtjen deputetëve nuk u lejohet më që të mbajnë armë, ndaj Strazimiri duhet që prej tre ditësh ta kishte dorëzuar armën.
Duke qenë se ai nuk e ka bërë këtë atëherë arma që mbante dje në protesë është e paligjshme. Burimet e sipërpërmendura theksojnë se pavarësisht se Strazimiri ka mandatin e deputetit ai mund të arrestohet në kushtet e flagrancës. Kushtet e flagrancës janë kur deputeti arrestohet në vendngjarje, çka nuk ndodhi, ose kur brenda 24 orëve ka prova të forta se ai ka shkelur ligjin. Këto prova policia i zotëron dhe sot do të dorëzojë në Prokurorinë e Përgjithshme kërkesën për arrestimin e deputetit të PD-së.