Bordi i drejtorëve të Barcelonës do të takohet të martën e 29 Marsit për të diskutuar iniciativën për të nderuar legjendën Johan Cruyff, që ndërroi jetë të enjten e shkuar, duke emëruar stadiumin sipas tij.
Gazeta “Sport” raporton se ka pasur thirrje të shumta nga adhuruesit e Barcelonës që stadiumi i famshëm “Camp Nou” të riemërohet sipas ikonës së futbollit botëror, i cili kishte ndriçuar atë stadium si lojtar dhe si trajner, përcjell “Koha Ditore”.
Cruyff ndërroi jetë në moshën 68-vjeçare pas një beteje me kancer në mushkëri. Ai kishte fituar La Ligan dhe Kupën e Spanjës si lojtar me Barcelonën, para se të fitonte të dy trofetë si dhe Kupën e Evropës me Barcelonën në vitin 1992 si trajner.
Barcelona është e vetëdijshme se duhet të propozojë një veprim që do të jetë homazh i denjë për përkushtimin jetësor që ka dhënë Cruyff për klubin dhe presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, si dhe drejtorët e klubit do të takohen me familjen e legjendës për të vendosur për një nderim të përshtatshëm.
I biri i Cruyffit, Jordi, që po ashtu ka luajtur për Barcelonën, u takua të dielën me zëvendëspresidentin e Barcelonës, Jordi Cardoner për të biseduar për situatën.
Dhe një përqindje e madhe e tifozëve të Barcelonës ka mbështetur idenë për riemërimin e stadiumit, ku 65 për qind të 8000 pjesëmarrësve në një anketë në uebfaqen e “Sport” kanë qenë pro idesë që “Camp Nou” të riemërohet sipas Johan Cruyffit..