Jo shumë ekspozita mirëpriten si ajo “Anri Sala: Answer Me”, në “New Museum” në Manhattan. Kështu shkruan e përditshmja amerikane “New York Times”, në intervistën e botuar me artistin shqiptar Anri Sala. Aty thuhet se kritikja e artit Roberta Smith, teksa ka shkruar për Salën ka vlerësuar “eksplorimet turbulluese, shumicën në video, në zërim, kohë, ngjyrë, arkitekturë dhe politikat e jetës moderne”.
Jason Farago nga “The Guardian”, Salës iu ka referuar si “kapacitet i pakrahasueshëm për të gërmuar ëndrrat e njollosura të modernizmit dhe imagjinimin e së ardhmes në gërmadhat e së kaluarës së freskët”, shkruan “Koha Ditore”.
Sala u lind në Tiranë në vitin 1974 dhe para se të shpërngulej në Berlin në vitin 2003, studioi artin në Paris. Në përshkrimin që i bëhet artistit bashkëkohor thuhet se shkollimi francez la shenjë në karrierën e tij.
“Ai favorizon idetë abstrakte kontinentale, por që nuk duket se ka ndonjë shenjë ironie apo cinizmi që mund të vijë bashkë me postmodernizmin francez.
Videot e tij madhështore dhe instilacionet e zërimit, që janë në muze deri më 10 prill, kanë të njëjtin miksim, kompleksitet dhe çiltërsi”, ka shkruar “NYT”. I rritur nën diktaturën komuniste, Sala, në këtë intervistë ka folur se si u ndesh me artin bashkëkohor në kohën kur një gjë e tillë ishte e ndaluar në vendin e tij.
“Arti bashkëkohor teksa evoluoi në botën perëndimore ishte komplet i ndaluar në Shqipëri, që nga impresionizmi e më tej. Krejt çka kishte të bënte me kulturën ishte e censuruar”, ka thënë Sala, i cili më pas ka ndarë një përvojë të tijën kur për herë të parë kishte parë një pikturë që do t’i linte shumë përshtypje.
Ai ka treguar sesi nëna e tij asokohe ishte drejtoreshë në Bibliotekën Kombëtare dhe se krejt çfarë ishte e ndaluar në shtet do të vendosej në atë që quhej “depo e zezë” ku mund të gjeje Kandinsky apo Klee. “Unë pata rastin t’i shoh disa prej tyre”, ka thënë Sala.
“Më kujtohet një pikturë nga Magritte – një burrë të cilit i shihet shpina, ai qëndron përballë pasqyrës e prapë i shihet vetëm shpina. (Piktura quhet ‘Not to Be Reproduced’ dhe është e vitit 1937). Më intrigoi shumë – në të njëjtën kohë më pëlqente dhe nuk më pëlqente. Nuk mund ta kuptoja”, ka shtuar ai.
Kur është pyetur nëse ka menduar ndonjëherë që të bashkëpunojë për realizimin e ndonjë filmi të gjatë apo nëse ka pasur ndonjë ofertë, Sala ka thënë se “kinemaja ka për qëllim që t’i bëjë njerëzit të harrojnë se ku janë”. Ndërsa qëllimi i artit të tij është krejt e kundërta.
“Ajo që më intereson mua është filmi që mbetet në mendjen e vizitorit pasi që të dal nga ekspozita: mënyra se si filmat e mi lidhen, hapësira në mes të filmave të mi, lidhja e tyre me arkitekturën dhe hapësirën, mënyrën sesi asnjëherë nuk humb gjurmët. Se je aty ku je”, ka thënë Sala.
Një prej viedoinstalacioneve të tij që ka këtë qëllim është ai i vitit 2003, e që titullohet “Dammi i Colori”. E kishte realizuar në Tiranë, dhe në të cilin paraqet qytetin i cili tashmë kishte marrë pamje tjetër nga fasadat me ngjyra.
Këtë projekt e kishte realizuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, asokohe kryetar i bashkisë. Sala është pyetur nëse ka humor në prezantimin e këtij projekti në videon e tij.
“Jo”, është përgjigjur Sala. “Në film gjithçka që është vertikale duket e ndritshme dhe me ngjyra, por gjithçka që është horizontalisht duket sikur vendi sapo ka dalë nga lufta- qyteti kishte nisur të punonte në rregullimin e kanalizimit, prandaj edhe rrugët duken ashtu.
Një infrastrukturë e tillë merr më shumë kohë dhe ngjyrosja e ndërtesave ishte bërë shumë shpejt dhe me pak para. Filmi im është portretizim i një projekti që premton se në të ardhmen diçka do të jetë ndryshe”, ka thënë Sala, i cili për projeksionin e tij të vitit 2005, “Long Sorrow” në fasadën e projektit të shtëpive të viteve ’60 nga Berlini Perëndimor, kishte varur 25 storie të saksofonistit Jemeel Moondoc, dhe më pas e kishte ftuar atë që të luante jazz.
“Isha në koncertin e tij dhe papritur më erdhi ideja”, ka thënë Sala, pasi që është pyetur se çfarë e ka shtyrë që ta vendosë në atë pozicion. “Ndërtesa është ndërtuar në kohën kur po ndërtohej Muri i Berlinit.
Shumë njerëz nga Lindja kishin vendosur të jetojnë në Berlinin Perëndimor, prandaj qyteti është dashur të përgjigjet duke ndërtuar njësi banesore. Isha i interesuar në arkitekturën e atyre viteve – në idetë shumë të mira të cilat jo domosdo funksionuan”, ka shtuar ai. Një tjetër video e Salës po ashtu ka të bëjë me muzikë.
Në vitin 2013 ai realizoi videoinstalacionin “Ravel Ravel” ku dy pianistë paraqiten në ekran në të njëjtën kohë teksa luajnë dy versione të “Piano Concert for th Left Hand” të Maurice Ravel. Kjo vepër ishte kompozuar në vitin 1929, për një muzikant që kishte humbur dorën e djathtë gjatë Luftës së Parë Botërore. Në njëfarë forme ai mëton që të sjellë konfuzionin.
“Filmi e hap atë mundësi, por unë mundohem që të mos e konfirmoj atë me fjalë”, ka thënë Sala. “Ajo që mund të them është se kompozimi për dorë të majtë nuk do të ekzistonte pa gjymtimin që ndodhi për shkak të asaj lufte”, ka shtuar ai, teksa ka treguar përse viteve të fundit ka zgjedhur që në veprat e tij të përfshijë muzikën klasike.
Ai ka thënë se ajo që i intereson është shkëputja e kësaj muzikë prej kulturës së ditëve të sotshme.
“Ne duam shumë vepra klasike, por janë aq larg saqë janë bërë si objekte arkeologjike të cilave mund t’i qasemi me një formë objektiviteti. Kjo nuk do të ndodhte me muzikën pop.
Është kaq e pranishme dhe na manipulon në mënyra që ende nuk i kemi dekoduar komplet”, ka thënë Sala, tek ka shpjeguar vendosjen e dy pianistëve në “Ravel Ravel”.
“Duke krijuar situatën ku dy pianistët luajnë koncertin e njëjtë por me kapërcime që i bëjnë ata të mos sinkronizohen për t’u sinkronizuar më pas, mund të dëgjosh gjëra të cilat erdhën vonë në historinë e muzikës: kompozimi udhëton përtej kohës që në disa momente të jetë jazz, serik dhe në disa momente sinkopë e në raste edhe më shumë si muzikë minimaliste e viteve ’70 apo ’80”, ka thënë Sala.