Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duke folur në një aktitet të organizuar nga Instituti Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES) tha se shpesh shtetet anëtare të BE-së kanë qenë më kritike sesa institucionet e BE-së (Gjermania, Franca, Hollanda).
Duke u ndalur në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, Meta tha se pavarësisht se miqtë tanë në zyrat e Brukselit, shpesh janë magjepsur nga këto makinata propagandistike, për Shqipërinë, janë vënë shumë kushte për të përmirësuar cilësinë e demokracisë, ndarjen e pushtetit, të drejtat e pronës, etj..
“Në vend, është krijuar një qeverisje autokrate e kleptokrate që jo vetëm ka detyruar më shumë se 1/3 e shqiptarëve të ikin nga vendi, por gjithashtu ka dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme marrëdhëniet në rajon.
Autokratët, siç e dimë mirë, janë lloj i veçantë njerëzish që, për hir të kapjes në pushtet, për hir të shërbesës së ambicieve personale të pakënaqura dhe delirante, janë të gatshëm të sakrifikojnë dhe të bëjnë kompromise edhe me interesat kombëtare. Dhe shpesh bëjnë aleancë me autokratët e tyre të ngjashëm.
Dhe kjo mbështetje e pandashme për autokratët ka dobësuar forcat e opozitës, në dëm të demokracisë. Kjo mund të thuhet për Serbinë, kjo sigurisht mund të thuhet për Shqipërinë.
Dyshja autokrate e Shqipërisë dhe Serbisë, Rama dhe Vuçiç, të cilët duken se kanë magjepur shumë në Perëndim, shpesh kanalizojnë energjitë e bashkëpunimit rajonal në drejtim të gabuar: planet e tmerrshme për shkëmbimin e territorit, modelet e bashkëpunimit, si “Ballkani i Hapur”, që sfidojnë proceset e drejtuar nga BE-ja si “Procesi i Berlinit”, kanë shpërdoruar këto energji dhe kanë zgjatur procesin e integrimit në BE.
Cilësia e bashkëpunimit rajonal mes vendeve, si dhe siguria e tyre dhe integrimi i vazhdueshëm në BE, do të varet shumë nga cilësia e demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në çdo vend.
Politikat aktuale në Shqipëri nuk na udhëheqin në drejtimin e duhur. Prandaj, Partia e Lirisë e Shqipërisë është shumë e qartë dhe e përkushtuar për ato që duhet të bëhet”, tha Meta./m.j