Pak ditë para se sistemi gjyqësor të vendosë për përkatësinë e vulës së demokratëve, Lulzim Basha ka thirrur Kuvendin Kombëtar për promovimin e programit të Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sekretari i programit Arbi Agalliu i tha RTSH-së se Kuvendi i datës 1 qershor, ishte përcaktuar me kohë për t’u mbajtur dhe se mbledhja e tij nuk ka lidhje me vendimin e pritshëm të gjyqësorit.
“Nuk erdhi si e papritur, u bë një njoftim disa kohë përpara, por për arsye organizative bëmë një pauzë 1 javore”, u shpreh ai.
Krahas programit, i cili do t‘i prezantohet shqiptarëve më shumë se një vit përpara zgjedhjeve politike të 2025-sës, Basha do të ketë gati deri në muajin shtator, edhe listën e kandidatëve për deputetë. Mos shpallja e listës në muajin mars, ashtu sikundër kishte premtuar Basha, erdhi sipas Agalliut për shkak të kohës që mori organizimi i degëve.
“Kishim vendosu marsin, por besoj se sezoni i ri parlamentar, pra shtatori do ta gjej PD-në, krahas programit që shpaloset më 1 qershor, do ta gjejë edhe me listën e kandidatëve për deputetë”, tha Agalliu.
Shpallja e programit dhe e listës së kandidatëve për deputetë, nuk do të thotë, tha Agalliu, se dera e PD-së është e mbyllur për bashkim.
“Nuk mund të bashkëpunojmë me persona që mbajnë mbi supe të shkuar korruptive, por për çdo koleg që deri më sot kanë menduar ndryshe, dera është e hapur”, deklaroi ai.
Agalliu tha se PD do të ketë në krah edhe aleatë që drejtojnë parti joparlamentare për garën zgjedhore të 2025-sës.
/a.r