Ferdinando Casini, ish-kryetar i Parlamentit italian, drejtues i demokristianëve të qendrës, është bërë i njohur në Shqipëri se ka marrë pjesë në aktivitetet e Nard Ndokës, kreut të Partisë Demokristiane.
Por Casini, kësaj here ka ardhur e është takuar me Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Sic bën të ditur zyra e shtypit e Kuvendit, Nikolla shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për kontributin e Senatorit Casini në fuqizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, në të gjitha detyrat publike, si anëtari më jetëgjatë i Dhomës së Deputetëve dhe si President i saj dhe aktualisht si Senator i Republikës dhe President i grupit ndërparlamentar të Italisë.
Gjatë takimit u diskutua mbi marrëveshjen e sapo ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me Italinë për pensionet, zbatimin e Protokollit të Bashkëpunimit për emigrantët e paligjshëm, Partneritetin Strategjik dhe bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh, mbështetjen e fuqishme të integrimit evropian të Shqipërisë, emigrantët shqiptarë, komunitetin arbëresh dhe qytetarët italianë në Shqipëri si ura miqësie, bashkëpunimin parlamentar mes dy vendeve, angazhimin e qeverisë italiane për mbështetjen e Kosovës, kontributin dhe mbështetjen për paqen dhe luftën e drejtë të Ukrainës etj.
Kryetarja Nikolla vuri në dukje se “Marrëveshja për pensionet, prej së cilës do të përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë në Itali dhe mbi 4 mijë italianë në Shqipëri, tregon se bashkëpunimi dypalësh u shërben interesave dhe mirëqenies së qytetarëve të të dy vendeve tona. Marrëveshja për emigrantët e paligjshëm është një shenjë mirënjohje për mbështetjen që Italia i ka dhënë emigrantëve shqiptarë, sidomos në kohët e vështira, por edhe përgjatë tre dekadave; një gjest humanizmi për këta njerëz të pashpresë; një tregues se Shqipëria po del nga pozita vulnerabël dhe po kontribuon në sistemin global të emigracionit.”
Është shumë e rëndësishme që debatet politike të zhvillohen në Kuvend, si një institucion thelbësor i sistemit demokratik. Italia mbështet gjithashtu rolin e Shqipërisë në zhvillimet ndërkombëtare, sidomos në rajonin e Mesdheut./m.j