Krijimi i Frontit të përbashkët mes opozitës dhe shoqërisë civile ka shkaktuar mospajtime shtesë ndërmjet lëvizjes “Vetëvendosje” dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shkruan “Koha Ditore”.
Subjekti më i madh opozitar insiston që alternativa, e cila ka për synim zgjerimin me shoqërinë civile të funksionojë si një trup i vetëm që do të çonte edhe drejt listës së përbashkët garuese, kurdo që mbahen zgjedhjet.
Por zyrtarë të AAK-së megjithëse përkrahin alternativën eventuale politike, kanë thënë se ajo nuk mund të bëhet shkel e shko, dhe se duhet lënë për një fazë tjetër.
Ideja e një platforme të përbashkët me opozitën është përkrahur edhe nga një pjesë e shoqërisë civile. Por analistët thonë se nuk mund të ndërtohet platformë alternative me ata të cilët një periudhë të gjatë kanë qenë pjesë e ndërtimit të konceptit dhe praktikës së pushtetit aktual.