Hashim Thaçi mund të inaugurohet si shef shteti, edhe pa marrë epilog kontesti i zgjedhjes së tij.
Kushtetuesja, që për opozitën është duke ia bërë argatin pushtetit, nuk ka shqiptuar masë të përkohshme në këtë rast, shkruan “Koha Ditore”.
Bashkë me kërkesën për prishjen e vendimit për zgjedhjen e Thaçit president, gati një muaj më parë opozita ka kërkuar edhe marrjen e masës së përkohshme që nënkupton pezullimin e vendimit për zgjedhje, e edhe organizimin e një seance dëgjimore gjatë procesit gjyqësor.
Në kërkesën adresuar Kushtetueses, opozita ka këmbëngulur se gjykata duhet ta shfuqizojë vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e kreut të shtetit, pasi ka konsideruar të ketë pasur shkelje të paragrafëve 4 dhe 5 të nenit 86 të Kushtetutës.