Nëse duam të vazhdojmë të punojmë për të thyer strukturat nxitëse që shtyjnë lëvizjet e parregullta migratore dhe udhëtimet e rrezikshme drejt Evropës, nevojiten përpjekje plotësuese, pasi ne besojmë se për të adresuar shkaqet rrënjësore të migrimit të parregullt dhe për të menaxhuar lëvizjet migratore drejt Evropës dhe vendeve të BE, do të jetë e nevojshme që të gjithë ne të mendojmë jashtë kornizave aktuale dhe së bashku të gjejmë mënyra të reja për të trajtuar këtë problem në një nivel evropian, thuhet në letrën dërguar Komisionit Evropian nga Italia dhe 14 vende të BE-së, që kërkojnë masa të reja për të shoqëruar Paktin mbi Migracionin.
Letra, e cituar nga ”Financial Times” dhe e parë nga ANSA, është nënshkruar nga qeveritë e Sofjes, Pragës, Kopenhagës, Talinit, Athinës, Romës, Nikosias, Rigës, Vilniusit, Valetës, Hagës, Vjenës, Varshavës, Bukureshtit dhe Helsinkit.
”Sfidat aktuale në lidhje me sistemin e azilit dhe migracionit të BE-së, duke përfshirë rritjen e mprehtë të ardhjeve të parregullta, janë të paqëndrueshme. Përgjegjësia dhe angazhimi ynë kryesor është të mbështesim stabilitetin dhe kohezionin social, duke shmangur rrezikimin e polarizimit të shoqërive evropiane dhe humbjes së unitetit në familja e shteteve anëtare të BE-së”, shkruajnë 15 qeveritë.
Letra nxit krijimin e ”partneriteteve gjithëpërfshirëse, reciprokisht të dobishme dhe afatgjatë me vendet partnere kryesore përgjatë rrugëve të migrimit”, sipas modelit të marrëveshjeve me ”Turqinë dhe Tunizinë” si dhe marrëveshjen ”Itali-Shqipëri”.
”Vendet e mundshme të sigurisë dhe mekanizmat e tranzitit të frymëzuar nga mekanizmat ekzistues të tranzitit emergjent mund të eksplorohen”, thuhet në letër./m.j