Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar për letrën e qeverisë së Kosovës dërguar në Këshillin e Europës. Sipas Osmanit, qeveria e Kosovës nuk është konsultuar dhe dakorduar me presidenten.
Në qëndrimin e presidentes theksohet se “përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës dhe kjo letër nuk është e tillë”.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të organizatës së rëndësishme, duke nënvizuar qartë angazhimin e Prishtinës, për të nisur me formimin e asociacionit brenda muajit maj.
“Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Euvropës”, lexohet në njoftimin e Gërvallës.
Ministrja thotë se me këtë, qeveria e Kosovës ka bërë një hap të prekshëm në përmbushjen e zotimeve dhe kërkon që votimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës të bëhet dhe jo të shtyhet.
Ky veprim ka hasur në kundërshtinë e presidentes osmani e cila thekson se “po vazhdon konsultimet me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit në Këshill të Evropës, ashtu siç ka bërë për një kohë të gjatë, me qëllim të zhbllokimit të këtij procesi”, thuhet në reagimin e Osmanit./m.j