Nga Mali i Zi, kryeministri Edi Rama hedh poshtë akuzat e opozitës se rezoluta anti-korrupsion e PS ka si për qëllim kapjen e drejtësisë. Kryeministri në një konferencë me gazetarët shqiptarë tha se këto janë spekulime, pasi nëse ndryshimet në drejtësi do duhet të kalojnë përmes ndryshimeve kushtetuese. Kreu i qeverisë thotë se ishte ai dhe PS që çuan para reformën në drejtësi dhe e mbështesin atë pa ekuivok.
“Ky është muhabet kot. Në rast se do imagjinohej diçka e tillë do duhej të kalonte përmes ndryshimeve kushtetuese. Si mundem unë të kem një synim të tillë kur isha unë me PS që i dhamë jetë SPAK dhe i japim sot mbështetjen pa kushte dhe deri më sot nuk e di të kemi hap ndonjëherë gojën për të komentuar veprimtarinë e SPAK”, tha Rama.
I pyetur nëse opozita do bëhet pjesë e këtij komisioni që do të diskutojë për reformat, Rama tha se draft rezoluta ka kaluar në Kuvend dhe duhet t’i nënshtrohet procedurës parlamentare. Kreu i qeverisë thotë se për çështje të tilla duhet konsensus i gjerë dhe thotë se duhet të krijohet një hapësirë ku të lënë pas sherret e përditshme por të diskutojnë për reformat për integrimin në BE
“Nuk jam në dijeni, rezoluta është dorëzuar në Kuvend, siç kemi bërë me reformën në drejtësi do ta bëjmë në të gjitha rastet pjesën tonë. Në këtë rast është e domosdoshme, se për çështje të caktuar duhet konsensus të gjerë. Por edhe se pse në fund të ditës të gjitha partitë nuk e diskutojnë fare që destinacioni është BE, madje grindja lidhet se kush e çon më shpejt Shqipërinë në BE. Të krijohet një zonë e ndaluar për sherret e përditshme politike dhe të flitet teknikisht me gjuhë ekspertize dhe jo me gjuhën e shthurur të politikës së ditës”, tha Rama./m.j