Nga Auron Tare
Javën e shkuar ishte për një vizitë turistike në Jugun e Shqipërisë, një familje britanike e cila për gati 30 vjet ka qenë një nga miqtë tanë të vërtetë të Butrintit.
Ndonjë herë tjetër do të shkruaj për këta njerëz që ndihmuan shqiptarë në ditët shumë të vështira dhe ku vila e tyre në Korfuz ishte një oaz i promovimit të kulturës shqiptare.
Por të kthehem tek vizita e javën e shkuar. Me vete kishin edhe disa miq të vjetër që vinin për herë të parë në Shqipëri.
Shkuan mes të tjerash edhe në Bënjë apo në një nga pikat turistike të njohura të Jugut.
Bënja, dikur ka qenë një oaz i vërtetë natyre. Me një rrugë të ruajtur me kalldrëm që gjarperonte midis pemëtoreve të gjelbëruara përmetare. Pa mbërritur tek Banjat e famshme, është apo më mire të them ishte Mulliri i famshëm i Mato Grudës së filmit të njohur.
Kur mbërrije në Bënjë, menjëherë të bie në sy Ura e bukur e periudhës Otomane që ende nuk ë është vënë ndonjë dorë restaurimi. Vite më parë ishte një vend i qetë ku banorët e zonës vinin për tu larë apo për piknik. Një vend idilik i pastër dhe nga më të bukurit në Jugun shqiptar.
Vitet e fundit Bënja ka pasur disa ndërhyrje estetike “për hir të turizmit”
Rruga e bukur me kalldrëm u mbulua nga asfalti. Në hyrje të banjave vendi u zgjerua dhe u ndërtuan parking për Kamperet e turisteve.
U prishen nja dy barake druri të cilat në mënyrë modeste të jepnin mundësinë të ndërroheshe përpara se të laheshe dhe të merrja një kafe.
Këto barake druri janë zëvendësuar me disa godina alpine të cilat që kur u ndërtuan nuk janë hapur asnjë herë. Se përse moda alpine e sjellë në Bënjë vetëm ata qe kane hedhur paratë e dinë. Ndërkohë kamperat e huaj pjekin mish derri të sjellë nga supermarket e Gjermanisë dhe pinë birrë holandeze që e kanë sjellë me vete.
Asnjë, d.m.th 0 ndikim ekonomik në zonë nuk ka pasur kjo ndërhyrje disa milion euroshe e cila e ka kthyer dikur oazin idilik të Bënjës në një Disni land ku me mijëra të huaj dhe vendas gjate verës futen në banjat termale si derkucët në llucë.
Që të mos zgjatem, i pyes miqtë e mij se si ju duk vizita në Bënjë.
-“Too much shit my friend”, më tha njëri prej tyre duke qeshur.
Urdhëro, i thashë se nuk po e kuptoja.
-Shkuam, më tha, dhe donim të laheshim, por nuk kishte se ku të ndërroheshim. U detyruam të futemi nëpër shkurre për t’u ndërruar. Pas shkurreve ishte një llahtar, dukej se të gjithë që shkonin në Bënjë dhisnin nëpër shkure, se nuk kishte një banjë.
Nuk qeshja dot. Zotëria që më përshkroi vizitën e tij në Bënjë kishte qenë Field Marshal i Britanisë.