Eksperti i Sigurisë Bedri Elezi ka dhënë detaje mbi gjetjen e arsenalit të armëve në veri të Kosovës. Elezi në një lidhje Skype me RTSH 24, deklaroi se armët i përkasin kriminelëve të mbështetur nga Serbia.
Por Elezi shtoi se, municione ka edhe në komuna të tjera në veri të Kosovës dhe për të cilat autoritetet duhet të punojnë dhe sigurojnë informacione me qëllim mospërdorimin e tyre në aktivitete të dhunshme, sikurse ishte sulmi i 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.
“Në bazë të informacioneve që kemi nuk është Sveçan vendi ku serbët terroristë që mbështeten nga Beogradi zyrtar, dhe Moska zyrtare janë të vendosur apo kanë baza armatimesh të ndryshme. Ne besojmë se armatime të tilla ka dhe në 3 komuna të tjera me shumicë serbe në veri të Mitrovicës dhe të tjera jug të republikës së Kosovës dhe policia duhet të punojë për të siguruar informacione edhe për vende të tjera për armatime luftarake që mund të jenë në zona të caktuara dhe mund të përdoren në aktivitete të dhunshme, sikurse ishte dhe rasti në Banjskë”, tha Elezi.
Por gjetja e disa uniformave të Policisë, për Elezin është një kambanë alarmi, pasi sikurse theksoi ai, ekziston rreziku që grupe kriminale apo ish-zyrtarë të policisë së Kosovës, t’i përdorin për të shantazhuar qytetarët e të mos pikasen nga autoritetet.
“Ky është shqetësimi më i madh se vetë gjetja e armatimit. Ekziston rreziku që grupe kriminale, ish-zyrtarë të policisë së Kosovës, të përdorin mjetet e policisë së Kosovës për të shantazhuar, zhvatur qytetarët për të kryer operacione policore dhe të mos vërehen nga qytetarët dhe autoritetet e zbatimit të ligjit.
Qytetarët në veri të Mitrovicës nuk e dinë kush është apo jo zyrtar dhe posedimi i uniformave është cenuesi më i madh i sigurisë.
posedimi i uniformës së policë krijon mundësinë të organizimit të aktiviteteve të ndryshme të sigurisë nga këto grupe kriminale pa u vërejtur nga strukturat ndërkombëtare të sigurisë në veri të Kosovës, si KFOR dhe të cilët mund të mos i njohin efektivët”, theksoi ai.
Mbrëmjen e djeshme (15 maj) autoritetet e Kosovës kanë konfiskuar sasi të konsiderueshme municionesh në pjesën veriore të vendit, që dyshohet të ketë mbetur aty, pas sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.
/a.r