Nazir Selimi, vjehrri i Arbianës iu bashkua rubrikës së “Shihemi në Gjyq” përmes një telefonate gjatë transmetimit. Deri më tani, Arbiana dhe Arjana, nënë e bijë që janë të pranishme në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan kanë thënë se familja Selimi ka marrë tre fëmijët e mitur përmes kërcënimeve.
Gjatë lidhjes telefonike, Naziri thotë se Arbiana i ka lënë fëmijët sepse nuk ka mundësi të kujdeset për ta. Ai i përshkallëzon deklaratat duke u shprehur se “është e mbaruar”, çka ndez një debat të nxehtë me ndërmjetësen Eni Çobani.
Nazir: Ajo s’mund ta mbajë se është e mbaruar, kupton?
Eni Çobani: Kush është e mbaruar more?
Nazir: Ja ajo.
Eni Çobani: Po nuk të vjen rëndë ty që flet kështu në këtë formë?
Eni Çobani: Po kush je ti që flet për nusen e djalit është e mbaruar? Ç’është kjo gjuhë more? Gjyshërit të flasin në këtë formë!
Nazir: Arbiana e ka shkruar vetë!
Eni Çobani: Ku e ka shkruar? Edhe vajza ta shkruajë vetë, ti je baba, ti je gjysh, ti s’mund të thuash ajo është e mbaruar, ti nuk mund ta thuash këtë fjalë! Ty duhet të të vijë rëndë që i thua një vajze 27 vjeç është e mbaruar! Është e mbaruar o zotëri se ta rrahësh, të mos i japësh bukë, të peshojë kjo 1.80 e gjatë, peshon 50 kile, patjetër që kjo është e mbaruar! Patjetër o zotëri! Prandaj po të them edhe njëherë, dorëzo vajzën e tretë! E ke me ligj që do ta mbajë Arbiana, për dy fëmijët e tjerë do të hapësh zgjidhje martese dhe kush ta vendosë gjykata, do të mbajë fëmijët. T’ju vijë rëndë që flisni dhe komunikoni publikisht në këtë formë, prandaj ndahen fëmijët se kanë prindër si ju!
Çobani e bën familjen përgjegjëse për gjendjen e traumatizuar të 27-vjeçares ndërsa u kujton se janë të dënuar penalisht sipas vendimit të gjyqtari Sokol Shehu. Ndërsa ajo vijon duke i përmendur Nazirit çfarë shkruhet në vendim, ai mbyll telefonin dhe Çobani bën një thirrje të fortë.
Eni Çobani: Kjo nuk është më Shqipëria që duam ne! Shqipëria që duam ne është të respektojë vendimin e Sokol Shehut, vendimet e gjykatave shqiptare që fëmijët të shkojnë te nëna, t’i lejojë gjyshja dhe gjyshi të rriten fëmijët e qetë. Çfarë është kjo ndërhyrje e gjyshërve deri në këtë formë? Si mundet? Lejoni fëmijët të prindërojnë. Nëse nuk arrijnë dot të prindërojnë, këto gjëra i ndan ligji dhe gjykata.
/a.r