Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk do të shkojë në takimin e thirrur nga kryeministri Albin Kurti. Në letrën që Abdixhiku i ka kthyer Kurtit, janë listuar arsyet e LDK-së për refuzim të takimit.
Ai e ka konsideruar të vonuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për takim për agjendë legjislative. Në letrën që ia ka kthyer Kurtit, Abdixhiku ka akuzuar kryeministrin për mbjellje të polarizimit ndaj partive politike të tjera.
“Në përgjigje të letrës suaj, e konsideroj të vonuar tani që pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre”, thuhet në letrën e Abdixhikut drejtuar Kurtit.
Abdixhiku në letër ka thënë se partia e tij “vazhdon përherë të jetë mbështetëse për interesat madhore të Republikës, ndonëse nuk i jeni përgjigjur asnjëherë kësaj gatishmërie me bashkëpunim reciprok”.
“Sa i përket çështjeve të ngritura në letrën tuaj, përkatësisht agjendës legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës, LDK-ja konsideron se e njëjta diskutohet në Kryesinë e Kuvendit, ku përfaqësuesit tanë politik i japin dhe qëndrimet tona partiake. Ndërsa, për votimet e marrëveshjeve ndërkombëtare, Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron ato mbi politikat ditore prandaj do vazhdojë t’i votojë siç dhe ka vepruar deri më tani”, përfundon letra e Abdixhikut.
/a.r