Një ditë para zgjedhjeve të reja për kryetar që mbahen mesditën e kësaj të shtune në Teatrin Skampa, Partia Demokratike zyrtare në Elbasan ka pasur ‘tkurrje’, pasi kryesia dhe figura të rëndësishme të saj si kryetari, Eugen Isaji dhe sekretari, Zamir Muzhaqi kanë dhënë dorëheqjen. Akti në fjalë vjen në shenjë proteste kundër vendimit për të futur në listën e kandidatëve për kryetar, biznesmenin Naim Meta, figura e të cilit sipas shumicës së demokratëve është i panjohur përsa i përket kontributit në parti, krahasuar me figurat e dorëhequra. Sipas informacioneve brenda Partisë Demokratike në Elbasan ky kandidat po mbështetet fuqishëm nga deputetja Flutura Açka.
PD e Elbasanit mori numrin më të lartë të votave në rang kombëtar në zgjedhjet e fundit dhe siguroi 7 anëtarë në Këshillin Bashkiak. Largimi i Eugen Isajt nga Partia Demokratike shënon një moment kritik për këtë parti në Elbasan. Kjo ngjarje shënon një shkëputje përfundimtare dhe tregon për tensionet e theksuara në radhët e partisë. Ndërkohë sot po zhvillon punimet Kuvendi i Degës së PD zyrtare Elbasan për zgjedhjen e kryetarit dhe Kryesisë së degës.