Nënkryetarja e PD, Oriola Pampuri, ka deklaruar se Shqipëria sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë renditet si vendi me numrin më të ulët të mjekëve dhe infermierëve në rajon. Në një deklaratë për mediat, Pampuri solli dje statistikat e publikuara nga OBSH, ku theksohet se numri i mjekëve u tkur me 15%, nga viti 2018 krahasuar me vitin 2020. Kjo sipas deputetes së PD, vjen si shkak i mungesës të politikave inkurajuese dhe rritjes së buxhetit për shëndetësinë. “Shqipëria mbetet ende vendi me numrin më të ulët të mjekëve, infermierëve, në rajon. OBSH thekson se numri i mjekëve u tkurr me 15%, nga viti 2018 krahasuar me vitin 2020. Nga 22 mjekë për 10 mijë banorë në 18.8 mjekë për 10 mijë banorë, ndonëse në atë vit nisi dhe pandemia Covid-19. Por po ashtu kur fjala vjen tek infermierët dhe punonjësit e shërbimeve shëndetësore, nga viti në vit kemi tkurrje të numrit të tyre për shkak të mungesës së politikave inkurajuese dhe rritjes së buxhetit për shëndetësinë”, deklaroi ajo. Nga ana tjetër, Pampuri ngriti shqetësimin se paratë që shqiptarët nxjerrin nga xhepi i tyre për taksën publike të shëndetësisë, nuk shkon në shërbime shëndetësore për të motivuar edhe më shumë stafet mjekësore apo ndërtimin e spitaleve të reja por shkojnë në dëm të shëndetësisë në PPP abuzive e korruptive, evidentuar sipas një raporti të KLSH-së. “Paratë e taksave të shqiptarëve nuk shkojnë për më shumë shërbime shëndetësore, më shumë spitale të reja, për të motivuar financiarisht më shumë mjekë e infermierë, ashtu siç ata e meritojnë, por shkojnë në dhjetëra miliona euro dëme në shëndetësi, ku sipas KLSH, në PPP abuzive e korruptive, në spitale që nuk përfundojnë kurrë së rikonstruktuari, apo në ato që marrin flakë dhe nuk kujtohen të vihen më në gjendje pune. Në këtë situatë humbin vetëm shqiptarët, të cilët sorollaten nga ky pushtet i korruptuar që abuzon dhe mashtron çdo ditë. Ka ardhur koha që kjo gjendje të ndryshojë dhe qytetarët të trajtohen denjësisht ashtu siç e meritojnë”, përfundoi Pampuri. SOT