Juristi Kreshnik Spahiu i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV tregoi agjenturat ruse që kërkojnë të veprojnë në Shqipëri. Juristi shpjegon sesi agjenturat ruse, që sipas tij janë oligarkë dhe biznesmenë përmes Athinës po tentojnë të hyjnë në Bashkinë e Himarës për të investuar dhe rekrutuar njerëz me ndikim në vend. Prandaj thotë Spahiu, Himara është çelësi i gjithë këtij konflikti në Shqipëri-Greqi.
“Himara është më e rrezikshme se Manastiri për të minuar stabilitetin e Shqipërisë për shkak të pozitës gjeografike. Himara është perla, zemra, truri, bukuria, çdo gjë që lidhet me vlerat. Edhe po ta marrim si vlerë toke, në para është vlera më e lartë e bregdetit në Shqipëri. Dorëzimi i Himarës është më i rëndë se 6 miljet e marrëveshjes së detit që bëri Berisha me Athinën 13 vjet më parë.
Të dyja arrestimet, qoftë i Fredi Belerit, qoftë i Goros kanë mbështetjen e shërbimeve perëndimore, të projekteve që mbështesin drejtësinë shqiptare, që nuk kanë mundur të tundohen dhe mos hanë presionin e fortë dhe diplomatik të Athinës, as të opozitës, as të qeverisë Rama. Është Rama, është opozita, është Greqia kundër arrestimit të Fredi Belerit dhe Goros. Dhe vetëm SHBA-ja dhe Perëndimi do që ata të jenë të arrestuar se janë të korruptuar dhe rrezikojnë stabilitetin në Shqipëri. Mos ju duket rastësi.
Në drejtësi dhe politikë nuk ka rastësi. Për ata që nuk arrijnë ta kuptojnë nuk bëhet fjalë për leje ndërtimi të thjeshta. Këtu bëhet fjalë për faktin nëse Himarën do ta kontrollojë Perëndimi apo Lindja, do ta kontrollojë Tirana, apo Athina, Moska apo Uashingtoni. Atyre shqiptarëve që nuk e dinë se si veprojnë agjenturat do t’u thosha që nuk ka të bëjnë me fizionominë e filmave, apo telenovelave. Agjenturat e huaja, në shekullin që jetojmë janë biznesmenë barkmëdhenj, oligarkë që Rusia në 90% të spiunazhit të vet në Mesdhe, në Ballkan dhe Evropë ka operuar nëpërmjet oligarkëve, ata që blejnë ekipe futbolli, që blejnë biznese të mëdha, nëpërmjet atyre që blejnë porte, hekurudha, aeroporte, hyjnë në çdo tender, privatizojnë bregdetin, ndërtojnë hotele luksoze me 5 yje. Ata janë shërbimet sekrete të Rusisë.
Shërbimet ruse kanë hyrë kudo, në Maqedoni, Mal të Zi, Kroaci, Serbi po e po. Në Shqipëri jo se nuk kanë hyrë se ata kanë kapur shumë liderë opozite, por duhet të hynin në investime në momentin që u është bërë bllok nga SHBA-ja, nga Perëndimi, nga ky partner i NATO-s. Në një kohë kur është hapur baza e NATO-s në Shqipëri, ata duhet të hynin nëpër investime dhe e vetmja mundësi ishte nëpërmjet Athinës që të kontrollonte gjithë Bashkinë e Himarës dhe Rivierën Shqiptare për të investuar në jugun e Shqipërisë dhe për të pasur bazat ekonomike ku njerëzit e tyre të operonin ekonomikisht dhe duke vepruar ekonomikisht janë të aftë të rekrutojnë sa më shumë rekrutë të brendshëm, njerëz me ndikim në Shqipëri, media, politikanë, apo liderë të ndryshëm që mund të jenë influencer në vendimmarrjen në Shqipëri. Prandaj Himara është çelësi i gjithë këtij konflikti në Shqipëri.”, tha Spahiu./m.j