I deleguar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar u shpreh se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe Këshilli i Evropës janë dy procese të lidhura me njëra tjetrën.
Në konferencën e tij të fundit për media si emisar amerikan për Ballkanin Perëndimor, Escobar shtoi se është vështirë të kuptohet pse Kosova nuk i përmbush obligimet e saj ligjore.
“Këshilli i Evropës është për trajtimin e komuniteteve dhe Kosova ka marrë zotime me themelimin e Asociacionit. Ai parashihet në planin e Ahtisarit, Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit”, ka pohuar ai.
Diplomati amerikan ndër të tjera është shprehur i shqetësuar se Kosova mund të mos i ketë votat për Këshillin e Evropës, dhe se mos-procedimi me Asociacionin do të sillte vonesa të tjera.
“Shqetësimi është që kjo vetëm do të shkaktojë shtyerje të madhe”.
SHBA-ja, sipas tij, nuk ka votë në këtë organizatë evropiane, por qëndrimi i Uashingtonit është që Kosova duhet të jetë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara.