Të paktën 60 persona kanë mbetur të vdekur, mbi 300 janë plagosur, pas një shpërthimi të fuqishëm në një park në jugperëndim të qytetit Lahore në Pakistan. Shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë.
“Një kamikaz hodhi veten në erë në parkun ‘Ikbal’ që gjendet në qytetin në verilindje të Pakistanit, I mbushur përplot me njerëz’’, -sipas televizionit pakistanez ‘’Dawn News’.
Policia ka bërë të ditur se dyshohet se shpërthimi mund të jetë kryer nga një kamikaz. Deri tani asnjë grup terrorist nuk ka marrë përgjegjësinë mbi sulmin.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se dyshohet se objektiv i sulmit kanë qenë familjet e krishtera, të cilat kishin dalë në park për të festuar Pashkët.
Të gjitha spitalet e zonës janë vënë në shërbim të personave të plagosur, të cilët janë me qindra. Lahore është kryeqyteti i provincës Punjab, një nga zonat më të pasura të vendit.