Mes vendeve të rajonit, Shqipëria cilësohet si një vend me pengesa të konsiderueshme administrative, por edhe infrastrukturore. Sipërmarrjet nga Maqedonia vlerësojnë se shteti duhet të marrë masa në minimizimin e burokracive për ta bërë vendin sa më tërheqës dhe mikpritës. Sipas tyre, në Shqipëri mungojnë subvencionimet, në një kohë kur në Maqedoni ato stimulojnë ndjeshëm bizneset. Për përfaqësuesit e biznesit shqiptar, Porti i Durrësit duhet të përmirësojë ndjeshëm shërbimet dhe të jetë më efikas, pasi konkurrenca është e fortë
Nga Elona Bedalli / Monitor
Në vitin 2015, tridhjetë kompani të huaja vendosën të investonin në Maqedoni, te fqinji ynë perëndimor. U hapën rreth 17,000 vende pune të reja. Parashikimet e qeverisë përtej problemeve politike sërish mbeten pozitive, teksa priten që të hyjnë në treg 35 kompani të reja investuese. Pjesa më e madhe vijnë nga shtete si Saint Vincent, Gjermania, Zvicra etj. Shteti maqedonas i konsideron Investimet e Huaja Direkte si shtyllën kryesore të ekonomisë, ndaj dhe shpenzimet e tij për promovimin e tyre nuk njohim limite, kur vjen puna te realizimi i “road shoë”-ve, mbështetja direkte dhe indirekte, subvencionimet etj. Janë rreth 30 argumente që vetë shteti jep për të tërhequr këto investime, pjesa më e madhe flasin për sistem fiskal të thjeshtëzuar e me norma të ulëta, subvencionime, akses i lehtë dhe i shpejtë në infrastrukturë, etj.
Në Shqipëri, mungesa e disa prej tyre, nga sipërmarrësit dhe investitorët maqedonas, shihen si pengesa kryesore që ndikojnë jo pak në klimën e të bërit biznes, por edhe në tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte.
Në Tiranë, pak ditë më parë u zhvillua edicioni i tretë i Forumit të Biznesit dhe Investimeve Maqedoni–Shqipëri, ku ishin të pranishëm rreth 40 sipërmarrje maqedonase, të cilët përfaqësonin fushat me interes të përbashkët mes dy vendeve për rritjen e shkëmbimeve tregtare, por edhe të Investimeve të Huaja Direkte.
Forumi, i cili u organizua nga Zyra Ndërkombëtare Invest Macedonia – Shqipëri & Kosovë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore dhe Unioni i Odave Ekonomike të Maqedonisë, nën kujdesin e projektit EEN, pati si qëllim krijimin e kontakteve mes sipërmarrjeve të të dy vendeve.
Si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia, janë duke shtuar përpjekjet për më shumë bashkëpunim, veçanërisht në fusha që kanë hapësira për të nxitur zhvillimin ekonomik.
Drejtuesi i Zyrës Ndërkombëtare Invest Macedonia – Shqipëri & Kosovë, z. Fatos Mustafa, thotë se gjatë tre viteve që ky forum është mbajtur në Tiranë ka ndihmuar në identifikimin e mundësive konkrete, për zgjerimin e bizneseve në të dy anët e kufirit, si dhe për rritjen e shkëmbimeve tregtare.
Përgjatë dhjetë viteve të fundit bilanci tregtar mes dy vendeve ka pësuar luhatje. Nga viti 2005 deri në vitin 2012, ky bilanc ka qenë negativ dhe vetëm pas kësaj periudhe, shifrat kanë pasur tendencë pozitive (shih graf).
Nuhi Aliu, pronar i kompanisë ‘EuroAktiva’ nga Shkupi, ka shtatë vjet që operon në tregun shqiptar. Ai rendit një sërë problemesh me të cilat përballet çdo ditë. Sigurimi i lejeve apo hipoteka, janë disa prej tyre. “Zhvilluam takime në të gjitha nivelet, duke filluar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës si dhe disa ministra të qeverisë te të cilët paraqitëm vërejtjet tona”, tha ai.
Ndërsa drejtuesi i një prej agjencive turistike në Maqedoni, “Generalturist”, Arkan Kerim, thotë se kërkon të zgjerojë aktivitetin në fushën e turizmit në Shqipëri. “Ne jemi të interesuar për të investuar në Shqipëri. Së bashku me partnerët tanë po mundohemi të gjejmë zgjidhje për ndërtimin e një resorti, por nuk dimë se ku dhe si? Maqedonia ka një promovim shumë të fortë.
Ish-kryeministri Gruevski ka bërë ekspoze në shumë vende të botës duke prezantuar mundësitë për të investuar në Maqedoni. Gjithashtu janë dhënë shumë lehtësi për investitorët e huaj, për shembull në bujqësi, ku janë dhënë miliona dollarë. Kompani të ndryshme po hapin hapin fabrika në Maqedoni. Kanë kushte të favorshme”, thotë z. Kerim.
Sikundër pranohet edhe nga vetë institucionet shqiptare, kemi se çfarë të mësojmë nga modelet e zbatuara në Maqedoni.
I këtij mendimi duket se është edhe kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, sipas të cilit Shqipëria duhet të marrë nga Maqedonia modelet më të mira, siç janë zonat e lira ekonomike, teknologjike dhe zhvillimore, por edhe sistemin fiskal të thjeshtë dhe me norma të ulëta taksash.
Gjatë forumit ai u shpreh se dy vendet janë sa të njëjtë aq edhe të ndryshëm nga njëri-tjetri.
“Është shumë e rëndësishme që ne të identifikojmë këta sektorë, të ngremë grupet e punës dhe të ndajmë detyrat që duhet të përmbushë secili prej nesh. Nga ana tjetër është e nevojshme që si sipërmarrje shqiptare, por edhe si qeveri të hartojmë dhe të marrim përvojat më të mira të Maqedonisë. Zonat e lira, si dhe sistemi i taksave, janë modelet dhe përvojat që mund të zbatohen në Shqipëri. Për këto arsye në shumë klasifikime, sot Maqedonia renditet lart, duke përfituar edhe një qasje pozitive nga ana e investitorëve të huaj. Do të jetë e nevojshme që komisionet qeveritare të dy vendeve duhet të jenë më efikase, në mënyrë që të bëhet një analizë e detajuar dhe e hollësishme të të gjithë interesave ekonomike që ka mes palëve. Duhet t’i mëshohet më shumë rolit plotësues që ka ekonomia rajonale. Në këto kushte, ne duhet të ngremë grupe pune ndërministrore, rajonale. Dhomat e Tregtisë së rajonit tashmë e kanë krijuar shoqatën e tyre që do të jetë në shërbim të integrimit të përbashkët, për të përfituar nga konferencat e Vjenës e Berlinit, që kanë marrë përsipër përafrimin në Bashkimin Europian. Është e rëndësishme që kur flitet për ekonominë plotësuese rajonale, ajo duhet të bëhet pa cenuar standardet dhe cilësinë. Kjo është e vetmja mënyrë që një treg rajonal, që llogaritet në jo më shumë se 20 milionë banorë të integrohet në BE”, tha z. Jaka.
Ndërsa ambasadori i Republikës së Maqedonisë në Tiranë, Stojan Karajanov, tha se me rëndësi kyçe për të dy shtetet është lidhja infrastrukturore dhe me përfundimin e Korridorit VIII hapen mundësi më të mëdha për lidhjen e porteve detare të Turqisë dhe të Bullgarisë me portet detare të Shqipërisë, që janë një mundësi e jashtëzakonshme edhe për biznesin maqedonas. “Maqedonia e Shqipëria si shtete fqinje të parë, ndajnë aspirata të njëjta në kuadër të proceseve të integrimit euroatlantik dhe zhvillimit e përparimit të bashkëpunimit rajonal, i cili duhet të intensifikohet në të gjitha sferat ekonomike”, tha z. Karajanov.
Ndaj nuk ishte e rastësishme që “Misioni Ekonomik”, sikundër u quajt ky event, u zhvendos edhe në qytetin e Durrësit, ku delegacioni maqedonas pati takime me kryebashkiakun z. Vangjush Dako dhe drejtorin e përgjithshëm të Autoritetit Portual Durrës, z. Gazmend Shalsi.
Përfaqësuesit e biznesit shqiptar dhe ata maqedonas u kërkuan autoriteteve shqiptare që të marrin masa për të përmirësuar infrastrukturën, kryesisht atë portuale, për ta bërë më efikase, si për vendin, edhe për rajonin. Pasi Porti i Durrësit vlerësohet si një pikë strategjike në rajon për aksesimin më të shpejtë të tregjeve europiane dhe me kosto më të ulët.
Për ministren e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, forumi shënoi arritje për sa i përket shkëmbimit të informacionit lidhur me sektorët, të cilët janë përcaktuar tashmë në ligjin për investimet strategjike.
“Dy vendet rikonfirmuan hapje të madhe ndaj kapitalit dhe sipërmarrjes. U arrit të shkëmbenim informacion për zonat teknologjike dhe ekonomike me përparësi zhvillimi. Sasia e informacionit të këmbyer ishte e mjaftueshme për të nxitur bashkëpunimin në të ardhmen e afërt. Unë kam besim se ky fillim bashkëpunimi do të ketë me siguri një jetë të gjatë dhe ju siguroj që nga ana e sipërmarrjes shqiptare, ky bashkëpunim shikohet me pozitivitet dhe me vrull për t’i bërë gjërat të ndodhin”, u ministrja.
Delegacioni nga Maqedonia, i cili përbëhej nga anëtarë të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore dhe Unionit të Odave Ekonomike, përfaqësonin fushat më me potencial, si: tregtia, infrastruktura, bujqësia, energjia, turizmi, ICT, manifaktura, agjenci imobiliare, etj. Ata diskutuan rreth marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, si dhe për mundësitë që ata kanë në mjedisin e të bërit biznes.
Biznesi maqedonas: Unifikoni doganat, reduktoni burokracinë
Xhemail Dauti është një nga sipërmarrësit e suksesshëm shqiptarë në Maqedoni. Kompania “Dauti Komerc” që ai drejton numëron sot mbi 500 të punësuar në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri dhe ushtron veprimtari në shpërndarjen e produkteve të konsumit të gjerë.
Që nga themelimi i kompanisë në vitin 1990, dy kanë qenë momentet më të vështira, lufta në Maqedoni dhe ajo në Kosovë. Periudhat e tjera kanë qenë pozitive për ecurinë e kompanisë. Ai thotë se për një vend, forma më e sigurt për thithjen e kapitalit të huaj, është përmes stimujve që duhet t’iu ofrohen biznesit.
Si e vlerësoni mjedisin e të bërit biznes në Shqipëri?
Veprimtaria e kompanisë sonë shtrihet në katër shtete dhe ne (këtu duhen pasur në konsideratë edhe transformimet ekonomike apo shoqërore të secilit vend) përpiqemi që të vendosim standarde sa më të larta. Megjithatë, duhet thënë se në të katër shtetet ku ne ushtrojmë veprimtari, hasen vështirësi në mjedisin e të bërit biznes, por Shqipëria dhe Kosova janë ato që dallojnë më shumë.
Cilat janë vështirësitë më të mëdha që hasni?
Padyshim që problemet më të mëdha hasen për shkak të infrastrukturës dhe më së shumti, asaj rrugore. E njëjta gjë vlen edhe në rastin e Kosovës. Infrastruktura problematike rrit kostot dhe kohën e transportit.
Nga ana tjetër si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, kanë probleme me funksionimin e institucioneve. Këtu ka shumë burokraci. Biznesi ynë ndeshet me shërbime doganore dhe të institucioneve të tjera që kanë probleme dhe anomali.
Situata paraqitet krejtësisht e ndryshme në rastin e Malit të Zi, ku gjërat funksionojnë më së miri.
Çfarë mund të thoni tjetër për Shqipërinë?
Shqipëria ka tarifa doganore shumë të larta në krahasim me shtetet e tjera fqinje dhe kjo krijon hapësira për keqpërdorime nga institucionet, si dhe nxit më tej informalitetin.
Problematike në Shqipëri është niveli i lartë i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar që është 20% dhe veç kësaj, nuk ka kosto të subvencionuara siç ka në Maqedoni për artikujt ushqimorë (TVSH në Maqedoni për produktet ushqimore është 5%). Në këtë aspekt, ne morëm premtimin e kryeministrit shqiptar për ta rishikuar çështjen.
A keni ju plane për zgjerimin e aktivitetit?
Ne ushtrojmë aktivitet në shpërndarjen e produkteve të konsumit të gjerë dhe shpresojmë që të rrisim më tej gamën. Kemi rreth tre vjet që kemi hyrë në tregun shqiptar dhe aktualisht ndodhemi me seli në Durrës.
Nga informacioni që kemi, ju po synoni që të futeni edhe në tregtimin e agrumeve, cilat janë planet konkrete?
Po, ne jemi duke diskutuar mbi mundësitë për të zhvilluar sektorin e distribuimit të agrumeve dhe e vlerësojmë Shqipërinë si një target tërheqës. Ne besojmë se brenda dy muajve do të mund të kemi diçka konkrete pasi po punojmë për vendosjen e marrëdhënieve me disa kompani shqiptare që veprojnë aktualisht në këtë segment. Ne besojmë se me rrjetin që kemi do të mund të arrijmë rezultate pozitive me futjen e agrumeve shqiptare, si në tregun e Malit të Zi, ashtu edhe të Kosovës.
Si e parashikoni ecurinë e kompanisë gjatë këtij viti?
Rezultatet e deritanishme kanë treguar s kompania do të vazhdojë të rritet me ritme pozitive. Ne kemi pasur vetëm dy momente të vështira, siç është lufta në Maqedoni (2001) dhe ajo në vitin 1999 në Kosovë.
Disa nga avantazhet që ofron Maqedonia për FDI-të
Gjatë vitit 2015, kontributi i investimeve direkte në Maqedoni u reduktua, por kjo për shkak se ato janë përqendruar kryesisht në sektorë që nuk ndikojnë drejtpërdrejt në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Megjithatë, qeveria e Maqedonisë është e kënaqur me faktin se kushtet për të hapur një biznes të ri janë përmirësuar ndjeshëm. Gjatë vitit 2015, rreth 35 kompani hapën aktivitetin e tyre në Maqedoni, ndërsa pritet që ky numër të rritet edhe më shumë. Po cilat janë disa nga avantazhet që ofron fqinji ynë perëndimor?
Blerja e tokës – Që nga viti 2009 është e mundur blerja e tokës. Ajo mund të realizohet në kushte të favorshme, pasi blerësi mund të përfitojë një zbritje prej 30%, nëse paguan me para në dorë. Deri tani nga ky program i qeverisë kanë përfituar rreth 2.500 kompani.
E drejta e pronës private dhe vendosjes – Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, i garanton një investitori të drejtën e pronës. Asnjë person nuk mund të privohet nga prona e tij/saj përveçse kur përdorimi i pronës ndikon në mirëqenien e përgjithshme publike.
Subvencionimet – Qeveria vendosi për të rritur në shumën e subvencioneve për tërheqjen e turistëve nga Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Bullgaria nga 25 deri 35 euro për turist.
Nënshtetësia mund të përfitohet nga investimi direkt i 400,000 eurove – Shtetasit e vendeve të BE-së dhe atyre anëtare të OECD-së që blejnë pasuri të paluajtshme (shtëpi apo banesë) në Maqedoni, në vlerë më të madhe se 40,000 euro, iu
jepet menjëherë qëndrim njëvjeçar në Republikën e Maqedonisë.
Taksa të ulëta – Taksë e sheshtë për korporatat dhe të ardhurat personale në vlerën 10% dhe 0% për fitimet e pashpërndara.
Kosto e ulët operacionale – Një nga lokalitetet me kosto më të ulët në Europë
Regjistrim biznesi – Sistem me një ndalesë, regjistrim brenda 4 orëve
Infrastruktura – Shtrirje e gjerë e internetit pa kabllo, sistem dixhital komunikacioni, rrjet rrugor i rehabilituar, dy aeroporte ndërkombëtare me ndërlidhje të rregullta me destinacionet europiane.
Forca e punës – Rreth 42% e popullsisë është nën moshën 30 vjeç, e formuar dhe me aftësi edhe për mësimin e shpejtë të gjuhëve të huaja.