9 deputetë të opozitës, anëtarë të Komisionit të Sigurisë, kanë kërkuar një dëgjesë me kreun e SPAK, Altin Dumani. Kjo kërkesë ka ardhur pas deklaratës së bërë nga Dumani gjatë raportimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, se “për disa çështje nuk mund t’i hetojnë me Policinë e Shtetit, për shkak se funksionarë të lartë të saj kanë bashkëpunim me krimin”.
Nisur nga kjo deklaratë, sipas 9 deputetëve, “Dumani ka raportuat se nivelet e larta të Policisë së Shtetit kanë sabotuar hetime të rëndësishme, janë të pabesueshme si dhe kanë penguar hetimin e ngjarjeve të caktuara duke vështirësuar hetimet e SPAK”.
Për këtë arsye, kërkojnë Dumanin në mbledhjen më të afërt të këtij Komisioni, për të raportuar gjetjet e tij dhe shqetësimet për këtë problematikë që e konsiderojnë një problem serioz të sigurisë kombëtare.
Deputetët kërkues janë Ferdinand Xhaferi, Lindita Metaliaj, Isu Çelaj, Flamur Noka, Asllan Dogjani, Ervin Salianji, Lefter Gështenja, Kasem Mahmutaj, si edhe Monika Kryemadhi. Kjo e fundit është në një hetim pasuror nga SPAK.
Për këtë deklaratë, më herët ka pasur edhe reagim nga ana e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla i cili tha “se bashkëpunimi i policisë me SPAK është i shkëlqyer dhe se nuk ka pasur dekonspirim në operacionet e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Posaçme”.
/a.r