Qytetarët kryesisht për të blerë shtëpi dhe sipërmarrësit për të hapur biznese të reja…shqiptarët morën më shumë kredi edhe muajin e shkuar. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vlera e huave të reja në mars ishte 30.1 miliardë lekë, 2.1 miliardë apo 7.5 për qind më e lartë se një vit më parë.
“Po për të blerë apartament apo makinë. Me rrogë nuk blihet ndaj qytetarët i drejtohen bankave. Me pagën që marrim nuk blihet dot gjë pa kredi.”
Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se bizneset morën pjesën më të madhe të kredisë së re në mars, më shumë se 20 miliardë lekë. Qytetarët morën gati 10 miliardë lekë, shifër kjo 12.5 për qind më e lartë se marsin e vitit 2023. Kjo në një kohë që sinjalet janë për lehtësim të normave të interesit. Po pse qytetarët dhe sipërmarrësit nuk po presin sa kjo të ndodhë?
“Kjo pasi individët janë të bindur se vlera e pronës do të ritet ndaj edhe nxitojnë të vlejnë apartamente, ndërsa bizneset kanë shumë para informale që nuk e përdorin dot. Ndaj edhe marrin kredi duke legalizuar kështu financat e tyre”, tha Mateo Spaho, pedagog ekonomie.
Optimizmi gati në eufori për një vit edhe më të mirë, justifikuar nga pritshmëritë për mikëpritur 14 milionë të huaj po nxit bizneset në këtë sektor të investojnë. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kredia e re për të kryen investime në akomodim dhe ushqim në mars arriti në 1.3 miliardë lekë nga më pak se 700 milionë lekë një vit më parë.
“Duke marrë shkas nga viti i kaluar, që patëm mbi 10.5 milionë turistë, për të ofruar një shërbim, paketë dhe për të diversifikuar ofertën po merret kredi. Ka shumë optimizëm ndaj edhe po investohet”, shtoi Spaho.
Ndryshe nga sa ndodhte në të njëjtin muaj të një viti më parë, pjesa më e madhe e kredisë së marrë në mars ishte në lek dhe jo më në euro.
“Kredia në lekë është më e favorshme pasi politika e Bankës së Shqipërisë e ka bërë më të vështirë dhënien e kredisë në euro nga bankat e nivelit të dytë. Nga ana tjetër, qytetarët që i kanë të ardhurat në lekë përpiqen të shmangin zhvillimet në tregun e këmbimit valutor”, shtoi pedagogu.
Marrë në harkun e tre muajve, qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë kanë marrë 82.8 miliardë lekë kredi nga 63.8 miliardë në po të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë. Në janar-mars individët rezulton të kenë marrë gjithsej 9.9 miliardë lekë hua, mbi 6 miliardë lekë prej të cilave për blerje banesash./m.j