Socialistët kanë qenë kundër kërkesës së kreut të grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi për të marrë në pyetje drejtorin e Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi për hijen e dyshimit që është shtuar mbi konkursin për magjistratët e rinj. Deputetit Toni Gogu e kaloi me batutë ironike, e ndërsa Palrent Ndreca e cilësoi si një kërkesë anti-kushtetuese.
“Forca politike të cilës i përket Bardhi, sa zbardh dielli deri në muzg përpiqet të jetë e shqetësuar për punët e drejtësisë, sa perëndon dielli i marrin magjistratët me libër shpije”, tha Toni Gogu.
“Kërkohen shpjegime për një proces në një institucion të pavarur. Kemi të drejtë të thërrasim institucionet e pavarura por jo për këto procedura, ta lëmë sistemin të vetërregullohet”, u shpreh Ndreca.
Pas hijeve të dyshimit që janë ngritur për provimin e magjistratëve të rinj, kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka kërkuar që të thirret në Komisionin e Ligjeve, drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi. Ai tha se duhet bërë transparencë, se përse lista e fituesve nga 70 përfundoi me 140. Në fjalën e tij në Komision, Bardhi shtoi se në listën e fistuesve, ishin edhe patronazhistë të PS.
/a.r