Nga Ferdinand Dervishi
Më 12 Mars 2024 Gjykata e Lartë vendosi që Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të regjistrojë procedimin penal për kallëzimin e datës 16.02.2023 të depozituar nga familjarët e Aleks Nikës, një prej viktimave të protestës së 21 janarit 2011.
Në këtë kallëzim, bazuar në një regjistrim audio të dorëzuar si provë, familjarët e viktimës akuzojnë ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, se urdhëruan të qëllohej me armë ndaj pjesëmarrësve në protestë duke shkaktuar edhe vdekjen e të afërmit të tyre.
Tashmë shumëkush e ka të qartë se hetimi i vrasjeve të datës 21 janar 2011 nuk prodhoi asgjë për të balancuar dhe zbutur plagët e krimit të ndodhur në mes të ditës dhe në mes të Tiranës.
Gjkatat shqiptare, në të trija shkallët, vulosën akuzën “vrasje pa dashje” duke vendosur e lënë në fuqi dënime krejtësisht minimale për dy nga të akuzuarit – pjesë e zinxhirit drejtues të Gardës së Republikës.
Për të pasur këtë rezultat ishte angazhaur një shtet i tërë.
Menjëherë pas protestës, kryeministri i kohës dhe njerëzit e tij tentuan ta konisderonin ngjarjen si një “grusht shteti” me qëllim që përgjëgjësia ti mbetej opozitës, si organizatore e protestës.
Madje, në deklaratat e para, pati edhe një tentativë për t’ja faturuar vrasjet protestuesve, të cilët paskëshin qëlluar shokët e tyre me anë të disa thikave – pistoletë e armëve të tjera të ngjashme.
Krejt peshën dhe linjën e këtij qendrimi të ashpër e mbante dhe drejtonte Kryeministri Sali Berisha.
Sipas bindjes së tij të patundur institucionet e shtetit nuk mund të pushtoheshin nga protestuesit në asnjë lloj mënyre.
Në vijim kryeminsitri i kohës do e zbrazte ashpërsinë e tij edhe mbi Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, veprimet e së cilës i shihte si të ishin veprimet e një kundërshtari politik.
Por, edhe pse turravrapin, për të devijuar të vërtetën e ngjarjeve të 21 janarit, do e godiste fort publikimi i pamjeve filmike që vërtetonin se autorë të vrasjeve ishin pjestarë të Gardës së Republikës, kjo nuk e ndalon shtetin të shkatërrojë hetimin.
Ndërmarrja shfaqet e stërmadhe. Mjekët, që kqyrën viktimat, gënjyen, prokurorët u mbajtën jashtë gardhit të Kryeministrisë teksa kryenin hetimin e vendngjarjes, armët e krimit u manipuluan, pamjet filmike u zhdukën, dëshmitarët u intimiduan…
Për pasojë, për shkak të presionit të ushtruar nga pushteti politik, gjykatat e ulën stekën te akuza “vrasje nga pakujedesia” duke dhënë vendime qesharake për dy nga autorët e vrasjeve.
Një verdikt që e la kapitullin të hapur dhe pa asnjë lloj balance mes aktit kriminal dhe masës së ndëshkueshmërisë përmes ligjit.
Mbetja në fuqi e vendimit, në të trija shkallët e gjyqësorit, pikësëpari bëri që pakënaqësia, e familjarëve të viktimave, të shkonte në rritje.
Ata trokitën në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe arritën të merrnin një tjetër verdikt, që jo vetëm baltoste drejtësinë shqiptare, por edhe i linte asaj detyra të hetonte më tej për vrasjen e të afërmit të tyre.
Për më tepër, konkluzionet e Gjykatës Europiane, për 21 janarin, ishin krejtësisht të njëjta me ato të Prokurorisë shqiptare.
Si të shkonte në të njëjtën linjë, më 12 mars 2024, edhe Gjykata e Lartë e Shqipërisë do të vendoste që hetimi për vrasjen e Aleks Nikës të hetohej nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sigurisht që tashmë SPAK-ut i del për detyrë të hetojë jo vetëm zinxhirin komandues të Gardës së Republikës, që është përgjegjës për vrasjet në shesh, por edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, bashkë me ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, që të dy dëshmitarë dhe protagonistë të ngjarjes, pasi gjendeshin në brendësi të godinës së Kryeministrisë në kohën kur ndodhi masakra.
Por, në gjithë këtë histori ka edhe një kapitull tjetër të errët dhe kriminal.
Pjesë e rëndësishme e fshehjes së veprimtarisë kriminale të krerëve të Gardës së Republikës, u bënë edhe disa drejtues të Policisë së Shtetit, të cilët nuk zbatuan urdhërat e ndalimit të lëshuara ngë Prokuroria e Tiranës.
Në deklaratat e kësaj kohe, edhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, e ka theksuar se gjithçka do ishte ndryshe nëse urdhërat e ndalimit të gardistëve do të ishin ekzekutuar nga policia.
Por çfarë është, çfarë përbën, kjo pjesë e historisë?
Pse nuk u ekzekutuan urdhërat e prokurorisë nga Policia e Shtetit dhe cilët janë personat përgjegjës?
A u fsheh apo u sabotua nga Policia, përmes këtij refuzimi, veprimtaria kriminale e krerëve të Gardës së Republikës?
A duhet të jetë edhe ky episod, i ngjarjeve të 21 janarit 2011, pjesë e hetimit të ri të SPAK?
Në fakt, vetë Policia, saktësisht Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm i Policisë së Shtetit, në vitin 2014, ka ndërmarrë një hetim të plotë për precedentin e moszbatimit të urdhër-ndalimeve të Prokurorisë për ngjarjen e 21 janarit 2011.
Në përfundim të hetimit, në muajin shkurt të vitit 2015, Prokuroria e Tiranës, ka përgatitur një relacion “Mbi mënyrën e përfundimit të procedimit penal numër 5382 të vitit 2014”.
Në fund të relacionit shkruhet: “Duke konsideruar hetimet e plota dhe të provuara, bazuar në nenin 327/1 të Kodit të Procedurës Penale, sygjeroj, “marrjen të pandehur, njoftimin e akuzës dhe dërgimin për gjykim, të procedimit penal numër 5382 të vitit 2014, në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë për shtetasit:
1-Hysni Burgaj, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
2-Agron Kuliçaj, ish-zëvendës drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.”
Në vijim shkruhet se këta persona, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, në mospërputhje të rregullt të detyrës, me dashje, kanë konsumuar elementët e figurës penale të “shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Kjo, pasi duke mos ekzekutuar “urdhërat e ndalimit për shtetasin Ndrea Prendi, ish-komandant i Gardës së Republikës dhe pesë vartësve të tij, kanë cënuar mbarëvajtjen normale të veprimtarisë së aparatit shtetëror dhe veprimtarinë e rregullt të institucioneve shtetërore”.
Rezultatet e hetimit të imtësishëm të SHKB-së së asaj kohe për disa nga krerë e Policisë së Shtetit, bashkë me fatin e këtij investigimi, ishin në qendër të emisioni CRIME STORY: