Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se kryeministri Edi Rama gaboi që reagoi pas dokumentarit të publikuar nga RAI 3 në Itali, i cili “godiste” sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçin dhe marrëveshjen mes dy vendeve për emigrantët.
Në një lidhje për Euronews Albania, Spahiu tha se në Europë dhe Shqipëri pothuajse askush nuk e shikon më RAI-n dhe sipas tij, nëse Rama nuk do të kishte reaguar, nuk do të ishte kaq e madhe kjo çështje.
Ai tha gjithashtu se Rama mund të ketë reaguar për qëllime të tjera, për të marrë më shumë mbështetje nga kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, që sipas Spahiut, ishte edhe shënjestra e sulmit të RAI-t.
“Mua Rama më është dukur i çuditshëm për një gjë. Dhe unë do i bëj një pyetje shikuesve. Nëse Rama nuk do i ishte përgjigjur drejtorit të RAI-t, a do e merrte vesh populli që ka pasur një emision në RAI? Sot në Shqipëri as 0.01 % e ndjekin RAI-n. Rai 3 në Shqipëri sot nuk ka asnjë audiencë.
Rama ka bërë një lojë, ka një qëllim të tijin për të shkëputur vëmendjen, për të marrë më mbështetje politike te Meloni dhe u fut në replikë me RAI-n. Se në të vërtetë RAI nuk kishte qëllim të godiste Ramën, por Melonin, e cila është treguar shumë e mençur, nuk ka reaguar fare lidhur me këtë çështje.
Justifikimi i drejtuesve të RAI-t ishte që vetëm drejtuesit rusë dhe kryeministri shqiptar kanë reaguar ndaj RAIT. E vërtetë sepse vetëm shqiptarët dhe rusët impresionohen nga RAI. Nëse Rai do të bëjë një emision për Gjermaninë, nuk i intereson askujt. Po të kishte heshtur Rama, opozita do të thoshte pse nuk reagon Rama ndaj akuzave të RAI-t. Hip se të vrava, zbrit se të vrava”, tha Spahiu./m.j