Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për Corriere Della Serë-n në lidhje me emisionin e ‘Report’ në Rai 3 i cili trajtoi marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët.
Kryeministri Edi Rama ka nënvizuar për median italiane se ka kërkuar që të flasë për emisionin Report, për të mbrojtur imazhin e Shqipërisë si dhe për të folur në lidhje me marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë për emigrantët.
Intervista e plotë
Kryeministër Edi Rama, nuk ndryshuat qëndrim, pasi telefonuat Rai-n për emisionin e Report për marrëveshjen Itali-Shqipëri?
Rama: ‘Fatkeqësisht nuk mund ta fshij atë fjalë. As inteligjenca artificiale nuk mund të gjejë një tjetër që e përshkruan më mirë atë episod. Megjithatë, dua të sqaroj se nuk kam ndërhyrë”.
A e telefonuat Corsinin?
Rama: ‘I kam komunikuar televizionit publik një fakt shumë të rëndë, për të cilin në të kundërt nuk do të vihej në dijeni!’
A ju duket e drejtë dhe normale që kryeministri i një vendi tjetër, sado miqësor, të bëjë presion në televizionin shtetëror? Partitë që kundërshtojnë qeverinë Meloni e quajnë skandal.
Rama: ‘Para se të fajësojnë mënyrën time të reagimit, miqtë e mi të dashur të opozitës në Itali duhet të interesohen për shkaqet dhe të përpiqen të kuptojnë se dinjiteti dhe transparenca janë të rëndësishme si kur flitet për shërbimin publik italian dhe kur bëhet fjalë për Institucionet publike shqiptare dhe personat që i përfaqësojnë ato. Unë nuk kam as mjete dhe as qëllim që të imponoj diçka në punët e brendshme të vendit tuaj. Megjithatë, unë kam për detyrë të mbroj vendin timin nga stereotipi i tmerrshëm i një epoke tjetër, të krijuar nga mediat në Itali për Shqipërinë dhe shqiptarët”.
A nuk është e vërtetë se puna në qendrat e paraburgimit të emigrantëve është prapa me planin? Dhe se 650 milionë shpenzimet e pritura në pesë vjet janë rritur në 1 miliard?
Rama: “Çfarë kanë të bëjnë me ne të gjitha polemikat në shtëpinë tuaj për flukset, kostot, kontratat e kështu me radhë? Asgjë! Dhe çfarë lidhje ka fakti që sekretari i përgjithshëm i qeverisë shqiptare ishte avokat penal në Itali më shumë se dhjetë vjet më parë me paktin për emigrantët? Dhe për çfarë arsyeje të pakuptueshme duheshin thënë gënjeshtra dhe shpifje të eksportuara nga Shqipëria në Itali, për audiencën e Report?”.
Ish-avokati i krimit Engjëll Agaci, i cili dikur mbronte mafiozët dhe trafikantët shqiptarë të drogës dhe tani është sekretar i përgjithshëm i qeverisë së tij, është njeriu kyç i qeverisë apo jo?
Rama: “Ka pasur një furi joracionale ndaj Agacit. Përtej dëmit, tallja. Pasi censuruan pyetje-përgjigjet e kërkuara nga programi ndaj Sekretari të Përgjithshëm dhe të cilave ai pranoi që tu përgjigjej… pasi ai u përgjigj me email, ata vazhduan ta akuzonin se nuk kishte pranuar të përgjigjej. Ishte një gabim i rëndë për t’u gëlltitur në heshtje.”
A është për një formë kompensimi që i kërkuat drejtuesit të Report, Sigfrido Ranucci, që të mund të përgjigjeshit me një intervistë live?
Rama: “Nuk kam kërkuar asnjë dëmshpërblim. Të enjten kam shkëmbyer një mesazh miqësor me drejtuesin Ranucci, pasi kam publikuar në ‘X’ reagimin tim për fjalimin e tij në një televizion shqiptar. Ndoshta më në fund do të arrijmë të pohojmë arsyet tona në programin e tij, pa u censuruar”.
Meqë ra fjala, çfarë mendoni për censurën Rai në Scuarti?
Rama: “Nuk i di detajet e çështjes”.
Megjithatë, duhet të dini detajet e marrëveshjes për dëbimin e emigrantëve të nënshkruar me Melonin. A do të kushtojë shumë para dhe nuk do të zgjidhë asgjë? Edhe ju kryeministër pranuat se keni dyshime…
Rama: “Nëse nuk ke dyshime duke u përpjekur të hapësh faqe të reja të çfarëdo lloji, atëherë jeton një hap larg dështimit, kaq”.
Opozita akuzon Melonin se po shikon modelin Orban, për çështjen e të drejtave civile dhe lirisë së informacionit dhe shtypit. A e kanë gabim, apo ka vërtet diçka për t’u shqetësuar?
Rama: “Si mund të them se kush ka të drejtë dhe kush e ka gabim, nëse duke ndërhyrë civilisht për një çështje shumë serioze të censurës dhe dezinformimit të lirë që prek Shqipërinë, u gjenda në mes të stuhisë italiane, ku lufta politike nuk merr të burgosur?”
A keni telefonuar Melonin, para se të telefononit drejtorin Corsini? Dhe çfarë i keni thënë njëri-tjetrit?
Rama: “Nuk kam folur me Giorgia Melonin, sepse e imja është një betejë për të vërtetën dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kryeministrja juaj nuk ka asnjë lidhje me të, edhe nëse vendi im u soll si një objektiv kolateral i sulmit kundër qeverisë së saj.”
/a.r
Ne debat i hane kaken ketij tonit!