Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për hetim Agim Locin, i cili akuzohet për korrupsion në zgjedhje. Sipas SPAK, ai është angazhuar në fushatën e zgjedhjeve të 14 majit 2023, për Bashkinë Vorë, ku e bija e të pandehurit ishte në listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak, si pjesë e një prej koalicioneve pjesëmarrëse në zgjedhje.
Loci i ka ofruar 10 000 (dhjetë mijë) lekë një shtetasi për të votuar një subjekt të caktuar politik në këto zgjedhje.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.105, të vitit 2023, ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim në ngarkim të të pandehurit:
Agim Loci, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
Nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se, i pandehurit Agim Loci, është angazhuar në fushatën e zgjedhjeve vendore të datës 14 Maj, të vitit 2023, për bashkinë Vorë, ku shtetësja A. L., e bija e të pandehurit Agim Loci, ishte në listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak, si pjesë e një prej koalicioneve pjesëmarrëse në zgjedhje.
Hetimi ka evidentuar se, i pandehuri Agim Loci, i ka ofruar shtetasit A.K. shumën monetare në vlerën prej 10 000 (dhjetë mijë) lekë, për të ndikuar në vullnetin e tij, në mënyrë që të votojë një subjekt të caktuar politik në Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore, që janë zhvilluar në datën 14 maj 2023 (Bashkia Vorë).
/a.r