Ministria e Mjedisit do të kalojë për miratim në Parlament brenda prillit ligjin e depozitës, që do të bëjë rregullimin e tregut të riciklimit të mbetjeve.
Ministri Lefter Koka ka vizituar disa kompani të tillë që riciklon mbetjet elektrike dhe pjesë të makinave në Durrës. “Ajo që kemi kërkuar është që tu japim mundësi qytetarëve shqiptarë që për mbetje të ndryshme të munden të shkojnë në vendin e caktuar për të rikthyer në një benefit financiar për qytetarët, por edhe kompania të ketë sa më shumë punë dhe të punësuar. Ndaj kemi kërkuar që të krijojmë një skemë depozite financiare ku çdo prodhues apo importues i një produkti i cili në fund të ciklit përfundon si mbetje të mundet të gjejë edhe ai destinacionin e caktuar për ta rikthyer në një lëndë të parë për produkte të tjera”, është shprehur Koka.
Ligji i ri synon menaxhimin e integruar të mbetjeve, minimizimin e sasisë së mbetjeve që depozitohen në landfille, përmirësimin e efiçencës së përdorimit të tyre, pakësimin e ndikimeve negative të përgjithshme të mbetjeve,administrimin ligjor të sistemit të depozitës me ndikim të drejtpërdrejtë në formalizimin e aktiviteteve grumbulluese dhe ricikluese të mbetjeve si dhe motivimin e konsumatorëve për të kthyer mbetjet përmes rikthimit të vlerës së depozitës.
TCH