Nisma e Bashkisë së Tiranës për shtimin e hapësirave të gjelbra ditën e sotme u përqendrua në mbjelljen e pemëve dekorative në disa rrugë të kryeqytetit. Gjatë aksionit për mbjelljen e pemëve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ka nisur puna edhe për prishjen e disa ndërtimeve për zhvillimin e projektit të sheshit “Skënderbej”.
“Kjo fundjavë është një fundjavë pune dhe aksioni për Tiranën. Po punohet në disa vende me disa prishje në qendër të Tiranës, ndërtesa pa leje pranë sheshit “Skënderbej”, pas Teatrit të Operas dhe Baletit. Duhet të lirojmë hapësirat publike nga ata që e kanë uzurpuar, që të përgatitemi për fillimin e punës në sheshin ‘Skënderbej’”, u shpreh Veliaj. Më tej, ai tha se vijon aksioni për mbjelljen e pemëve në çdo rrugë të Tiranës, duke nisur nga qendra dhe në çdo rrugë diagonale, për t’u siguruar që të zëvendësohen të gjitha pemët që mungojnë, që janë vandalizuar apo prishur gjatë këtyre viteve.
“Sot kemi qenë në rrugën “Mine Peza”, te rruga “Fortuzi”, “Hoxha Tahsin”, dhe simbolikisht edhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili gjithashtu nuk i ka shpëtuar vandalizimit apo shkuljes së pemëve. Kështu, sigurohemi që asnjë hapësirë kushtuar pemëve nuk rri bosh në qytetin e Tiranës”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ai theksoi se paralelisht me mbjelljen e pemëve, po vijojnë edhe investimet te Parku i Liqenit Artificial.
“Sot kemi vijuar me disa investime të tjera në Parkun e Liqenit, duke vendosur një shatërvan si kartolinën e ardhshme të Tiranës. Kjo është një pikë jashtëzakonisht e frekuentuar nga qytetarët e Tiranës dhe në total, me mbjelljet që kemi bërë në qytet dhe në parqet e kryeqytetit, sidomos në Parkun e Liqenit, e mbyllim marsin me 7 mijë pemë”, tha Veliaj. Sipas tij, 7 mijë pemë në 7 muaj është përgjigja e Bashkisë së Tiranës për të gjithë ata që nuk e kursejnë baltën. “Gjithë ajo baltë që prodhohet, më mirë të hidhet për të ushqyer pemët, se sa për të goditur njëri-tjetrin”, shtoi ai.
Më tej, kryebashkiaku siguroi se do të vijojë mbajtja e ritmit të punës për mbjelljen e 1 mijë pemëve për muaj. “Kjo është mënyra më e mirë se si e tregojmë me fakte dhe punë konkrete atë që nënkuptojmë me dashuri për qytetin. Mrekullia nuk ndodh brenda natës, por duke parë se çdo ditë punonjëset tona të pastrim-gjelbërimit me shumë dashuri e përkushtim, bëjnë një punë fantastike, besoj se kjo është mënyra më e mirë për t’ua kthyer qytetarëve besimin që na kanë dhënë”, përfundoi Veliaj.
Aksioni për shtimin e hapësirave të gjelbra kishte për qëllim mbjelljen e pemëve në disa prej rrugëve kryesore të qytetit si “Hoxha Tahsim” me 23 drurë dekorativë, në rrugën “Mine Peza” dhe “Fortuzi” 54 dru dekorativë, si dhe 16 pisha të buta te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
ju lutemi beni kujdes te mbillni peme cilesore qe rriten te larta dhe te bukura, jo qe mbeten si fidanishte. Nuk ka vlere te shtuar ne to.
beni gjithashtu kujdes qe pemet ne trotuare te mos nxjerrin kembesoret ne rruge. Ne shumicen e trotuareve te ngushta te Tiranes, pema ze vendin kryesor dhe ne rastin me te mire, njerezit duhet te ecin nje e nga nje. Shpesh qellon si te rruga e Dibres, te hoteli Sheraton, te qendra Kristal (per te permendur vetem dy tre emra) qe pema rri ne trotuar dhe kembesori i vetem ecen ne rruge te ngushta ku veturat kalojne me shpejtesi.
Arsyeja pse mbillen peme ne trotuare qe jane vetem 1m te gjera, le te na e thote bashkia e re, qe po vazhdon ne gjurmet e se vjetres. Kujt i duhet nje hije ose ndihma e pemeve ne pastrimin e ajrit, kur nuk trotuari nuk pranon njeriun, por e nxjerr ne rruge?