Përçarjet në familjet politike nuk janë të pazakonta në partitë politike shqiptare! Ka ndodhur edhe më parë, fillimisht me Partinë Socialiste, nga ku doli filizi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. U përsërit disa herë në familjen e Partisë Demokratike, e cila ka kaluar shumë situata që ndër vite ka sjellë përçarjen në disa grupime dhe po ndodh sërish. Kur dukej se gjithçka u qetësua në kampin opozitar, shpërtheu Ilir Meta. Me ‘shpatë’ në dorë ka vetëvendosur që të bëhet pjesë e një aksioni, arsyet për të cilin i kupton vetëm ai duke mos kursyer askënd. As bashkëshorten e tij!
Arsyet janë të paqarta, të paktën publikisht dhe pse thashethemet kanë mbushur korridoret e politikës dhe mediave. Konkretisht Meta flet vetëm me kode, kështu që ata që e dinë, e dinë për kë e ka. Ne mund vetëm të analizojmë dhe të luajmë me rregullin e përjashtimit. Kë ka përmendur për mirë Ilir Meta deri më tani, kë ka sulmuar? Me rregull “përjashtimor” nga konflikti përjashtohet: Petrit Vasili, Edmond Haxhinasto, Edmond Panariti, dhe “kapedanët e tij” Erisa Xhixho dhe Tedi Blushi. Madje, Xhixhon e ka futur edhe në grupin e dialogut për Reformën Zgjedhore, përgjegjësi që më parë e ka pasur Vasili. Edhe ky i fundit do ishte ndoshta tek lista e tradhëtarëve, por Meta e justifikoi me faktin se është sëmurë në gjendje jo të mirë shëndetësore. Kjo do të thotë shumë për besimin që Meta ka tek Xhixho, nga e cila do të mbrohen interesat e tij për zgjedhjet e ardshme parlamentare. Edhe pse po flitej për një ftohje, edhe me kryedemokratin Sali Berisha nuk ka gjë! Madje u shpreh i gatshëm që ta linte të bëhej kryeministër para vetes. Të tjerë brenda Partisë Demokratike nuk kanë shumë rëndësi për Metën!
Pra të gjitha këto pista përjashtohen! Këta emra nuk e kanë tradhëtuar Ilir Metën! Tani analizojmë të tjerët.
3 janë kryesorët në lupën tonë: Monika Kryemadhi, Elona Guri dhe Endrit Brahimllari, të cilëve Meta u gjen ndonjë epitet të ri çdo ditë. Kryemadhi mendohet se është “tradhëtarja”, aq sa e ka detyruar Metën që të iki dhe nga banesa dhe të shpërngulet për të jetuar në një hotel luksoz. “Sufllaqexhiu” mendohet se është Brahimllari, ndërsa Elona Gurin mund të jetë duke e krahasuar me “laraskën”, por së fundmi mund (gjithmonë mund) ta ketë cilësuar edhe si “çimkaxheshë”. Se për kë e ka patronazhistin, kjo është më e qartë. Vetë Meta e tha se kishte vendosur të dëbonte gardistin Laert Gjoka, të cilin e kishte truprojë prej 11 vitesh, duke e akuzuar se ishte “patronazhist”.
E “dënuar” nga Meta, dyshohet “tradhëtarja”
Përgjigjen ia dha publikisht. Nëse Meta e ka cilësuar si naive që i ka besuar Lulzim Bashës për djegien e mandatave, Kryemadhi e kishte më të rëndë ‘dorën’. E akuzon për bashkëpunim me Edi Ramën dhe Erion Veliaj, duke i hedhur poshtë aksionin që e nisi që kur ishte president.
“Shfokusimi nga INCENERATORËT që unë kam kallëzuar me përgjegjësinë e firmës time dhe protagonizmi BOSH janë sot shërbimi më i mirë që mund ti bësh Edi Ramës, Erion Veliaj & Bandës së tyre. Denoncimi me fakte, prova dhe firmë konkrete kundër bandës në qeveri dhe bashki; këto janë tema kryesore që mendoj se duhet të udhëheqin aksionin opozitar. Gjithashtu, unë besoj se shqiptarët presin nga Opozita ide, vizion dhe propozime konkrete, që ngjallin shpresë dhe besim për popullin shqiptar. Se si do të rrisim mirëqenien dhe sigurinë e tyre. Filmat e vjetër me të njejtin përfundim janë pa interes për shumicën e shqiptarëve.”
Tani, raportohet që Meta ka ikur edhe nga shtëpia e tij bashkëshortore. Por nëse ka dyshime se kjo me Kryemadhin është e gjitha një lojë në çift për të tjerë nuk ka përse të jetë kështu! Aspak! Sepse po goditen Elona Guri dhe Endrit Brahimllari, dy persona shumë të afërt të Metës dhe më pas të Kryemadhit, teksa ajo ishte në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Këta janë vetëm një pjesë, ajo që ështëe publikuar gjerësisht në media. Ka edhe të tjerë raste që ZËRI i ka mësuar përmes burimeve. Pasi përzuri truprojën, Meta ka marrë pranë tij një boksier që po bën atë që di të bëjë më mirë. Të boksojë! “Viktima” e parë ka qenë një punonjës i një kompanie kamerash sigurie. Pse? Meta donte një pamje që nuk e gjeti dot, për këtë arsye vetëshpalli armik punonjësin, i cili u dhunua nga boksieri. Se përse e ka bërë vetëm sepse ia ka kërkuar Meta, këtë nuk dimë ta themi, ndoshta nga euforia për t’i treguar se çfarë di të bëjë shefit të ri. I njëjti boksier, ka tentuar që të dhunojë edhe Kryemadhin, por këtë të fundit e shpëtoi Panariti. Fatmirësisht! Edhe pse e ka bashkëshorte, për Kryemadhin, Meta e ka mendjen e bindur se është peng i Altin Dumanit, edhe pse disa ditë më parë e ëma e saj shkoi në SPAK për të dëshmuar. Por duket se për të gjithë Meta e ka një verdikt dhe s’ka gjë që ia kthen mendjen.
Tradhëtarin Meta mund ta gjejë edhe tek Muharrem Berisha, i cili konsiderohet në një kallëzim penal të bërë në SPAK si pronar fiktiv i godinës ku më parë ka qenë Lëvizja Socialiste për Integrim, e tani “strehohet” Partia e Lirisë. Në dosjen e referuar në SPAK nga Halit Valteri flitet gjithashtu për transferta të dyshimta në llogarinë personale të Muharrem Berishës, i cili nga ana tjetër, me të ardhura të pajustifikuar, ka kryer transaksione si donacione ndaj LSI, transferta parash ndaj kompanive offshore dhe llogarive të tjera për interes e Ilir Metës. Të njëjtin person, Meta e ka dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” kohën kur ishte president. Mesa duket ka qenë shpërblimi për faktin se ai ka qenë objekt i përplasjeve të forta politike mes PS-së dhe LSI-së në vjeshtën e vitit 2010. Përfaqësues të Partisë Socialiste akuzonin Ilir Metën se ishte pronar i kamufluar i godinës së LSI-së në ish-Bllok, pasuri të cilën nuk e justifikonte me burime të ligjshme të ardhurash. Për t’i hequr mërzinë, Meta Meta e kandidoi Muharrem Berishën për deputet në Tiranë në zgjedhjet e vitit 2017, por duke qenë se nuk ia doli që ta fitonte ulësen në Kuvend, e dekoroi më pas. Por, që nga ajo kohë Berisha (jo doktori) është zhdukur nga qarkullimi. Me siguri po ruan veten nga ndonjë epitet që mund të marrë.
Por le të rikthehemi tek shënjestrat kryesore të Metës, për të cilët kemi bërë nga një skedë të shkurtër se kush janë, ç’dinë për familjen Meta-Kryemadhi dhe si i klasifikon kreu i PL-së.
ELONA GURI
E “dënuar” nga Meta, dyshohet “laraska”/”çimkaxhesha”
Meta foli për “laraska dhe sufllaqexhinj” të kapur nga SPAK që e kanë tradhëtuar por edhe pse nuk përmendi asnjë emër, Elona Guri reagoi. Edhe pse tërthorazi. Në rrjetet sociale i komentoi Endrit Brahimllarit që hoqi dorë nga postet e tij brenda Partisë, duke përmendur fjalën kyçe: tradhëti!
“Jam krenare per rrugetimin tend miku im! Qe nga gjimnazist e deri ne prind, ti nuk levize kurre prej boshtit te vlerave te tua. Kemi ndare bashke sakrificat dhe punen e palodhur per te cuar perpara misionin LSI, qe shume e quanin te pamundur. Jemi kritikuar sepse kemi besuar. Por pa tradhëtuar kurre idealet tona dhe duke qene model i asaj levizje pozitive qe perfaqesonte partia jone LSI ne keto 20 vite per te gjithe ata mijera burra, gra e te rinj ne te gjithe Shqiperine,”- shkruante Guri, në postimin e Braimllarit, ku deklaron dorëheqjen.
Kush foli për tradhëti? Brahimllari jo njëherë, por Elona Guri sërish e përmendi si fjalë për të marë përsipër mbrojtjen e kolegut të saj. Ose ndoshta i parapriu mbrojtjes së vetes, pasi në një nga kallëzimet penale të referuara në SPAK për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, kërkohet që të verifikohen udhëtimet e shpeshta drejt Anglisë të Elona Gurit, ish-kandidate për deputete e LSI-së. Në kallëzim, për të cilin SPAK ka regjistruar një procedim penal, Elona Guri përshkruhet si pjesë e njerëzve të besuar të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të përfshirë në skemat e pastrimit të parave të korrupsionit, si dhe të lëvizjes së parave drejt Anglisë dhe shoqërive offshore.
“Elona Guri është po aq e rëndësishme në skemat e pastrimit të parave të familjes Meta -Kryemadhi. Ajo rezulton të jetë pjesë e skemave të financimit të kompanive lobuese në SHBA dhe offshore. Elona Guri ka mbuluar shpenzimet e fëmijëve të Ilir Metës gjatë shkollimit në Mbretërinë e Bashkuar, duke udhëtuar çdo javë drejt Anglisë pa pasur burime të justifikuara mbi shpenzimet e bëra. Mjafton të verifikohen udhëtimet e Elona Gurit jashtë Shqipërisë dhe qartazi del në pah fakti se ka pamundësi për t’i mbuluar ato shpenzime,”- thuhet në materialin kallëzues.
Duket se nga koha kur Elona Guri 3 vite më parë sulmonte Lefter Kokën për hesap të LSI-së dhe Kryemadhit dhe ish-partisë së Metës, gjërat kanë ndryshuar shumë.
ENDRIT BRAHIMLLARI
I “dënuar” nga Meta, dyshohet “sufllaqexhiu”
I besuari i Monika Kryemadhi iku para 2 ditësh nga Partia e Lirisë. Dorëzoi të gjitha funksionet e tij dhe me gjasë e mbyll me kaq angazhimin e tij politik në këtë parti. Dorëheqja e tij erdhi pikërisht një ditë pasi Meta paralajmëroi spastrime në radhët e Partisë së Lirisë. Edhe vetë Brahimllari pranoi se e mori vendimin pasi u gjet në kushtet e pamundësisë për të kryer detyrën për shkak të faktorëve të brendshëm. Mes rreshtash la një përgjigje për Metën që flet për tradhëtarë.
“Gjatë 19 viteve kam ushtruar funksione të larta në parti. Falenderoj kryetarin Ilir Meta për mundësinë e dhënë ndër vite. Në të gjitha funksionet e mia jam udhëhequr nga fryma e bashkëpunimit, solidaritetit dhe meritokracisë. Kam vlerësuar punën në terren dhe komunikimin e përditshëm si një mundësi për të mbajtur kontaktet me gjithësecilin prej jush dhe për të ndarë sëbashku problemet tona të familjes politike por jo vetëm. Në shumë raste kam qenë ekuilibrues i problemeve tona të brendshme, me bindjen maksimale që në parti duhen të gjithë dhe partia është e të gjithëve,”- shkruante ai.
Si iu përgjigj Meta?
Dje, në një konferencë për mediat, foli pikërisht për këtë largim, duke mos e kursyer ironinë.
“Endriti është shumë i mirëpritur në Konventë, siç ka qenë i lajmëruar në gjithë këto mbledhje. Siç ka qenë i lajmëruar nga Tedi Blushi, që nuk e ka për detyrë, se e ka ai për detyrë të këshilltarëve të lajmëroj Tedi Blushin, dhe këshilltarët për të dalë përpara Erion Velisë. Ne po e presim me shumë dashuri në Konventë, që ti thotë këto gjëra! Por, unë kam përshtypjen që ju bëni diversion, dhe nuk është shumë mirë, të bëjmë diversion me kolegët tanë. Meqë po citoni zotin Endrit, unë po citoj zotin Stalin. Kur vija politike është e qartë, dhe partia jonë është më e qartë se çdo parti tjetër, dhe kështu ka qenë gjithmonë, përveç se atyre momenteve të djegies së mandateve, etj. Aktorë vendimtar për fitoren, mbetet organizimi. Kështu që ju më cituat atë, unë ju citova gjigandin. Tjetër, se do thoni ju citove Stalinin, po citoj Çërçillin. Çfarë tha Çërçilli? Tani ti citon Endritin, unë citoj këta. Ti bën shumë mirë se na rrit vlerën si parti ne, që citon Endritin. Problem më i madh se sa në parti, ne na u bë në rini. Dhe nga organizata më e madhe rinore që ishte në kohën e kësaj zonjës këtu Xhixhos,”-tha Meta.
A ka pasur gjë në dorë Brahimllari do thoni ju? Në fakt, po! Edhe pse personazh politik nën hijen e Kryemadhit, ai ka qenë një nga figurat më të rëndësishme të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në dijeni të shumë zhvillimeve dhe prapaskenave. Për këtë arsye është pyetur nga SPAK në lidhje me çështjen e lobimit, në cilësinë e sekretarit të Përgjegjshëm, pas ardhjes së letërporosisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Se çfarë ka thënë, këtë se dimë, por dimë që ka dalë publikisht kundër Metës që sulmon SPAK-un. Ndryshe nga Meta që ka hapur fjalorin për të gjetur sa më shumë epitete për t’i vendosur Altin Dumanit, Brahimllari ka tone të qeta: Unë kam mendim tjetër për SPAK që ka prokurorë të ndershëm që luftojnë krimin e organizuar.
Cili prej tyre është tradhtari që Ilir Meta përmend? Duket se nuk do të duhet të presim gjatë…/ZËRI