Ambasada Amerikane në Tiranë paralajmëron një deklaratë të diplomatit të lartë David Wisner, pasditen e kësaj të enjte. I Ngarkuari me Punë i SHBA në Tiranë, do të flasë për Zërin e Amerikës në lidhje zhvillimet e fundit politike.
“Ndiqni Zërin e Amerikës sonte në orën 18:00 për një intervistë ekskluzive të të Ngarkuarit me Punë të Shteteve të Bashkuara, David Wisner, me gazetarin Armand Mero”, thuhet në njoftimin e selisë diplomatike të Rrugës së Elbasanit.
Gjatë intervistës, i Ngarkuari me Punë David Wisner do të diskutojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sektorët e drejtësisë, mbrojtjes dhe ekonomisë të Shqipërisë, duke u fokusuar te reforma në drejtësi, bashkëpunimi në NATO, si dhe rritja e tregtisë dhe investimeve.
Në kohën e sulmeve ndaj institucioneve të drejtësisë dhe përfaqësuesve të tyre, nga aktorët politikë vendas, Ambasada e SHBA ka vetëm një porosi për të gjithë shqiptarët: Mos e humbisni!
Dje, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dënoi publikisht sulmet e ish-presidentit Ilir Meta ndaj kryeprokurorit Altin Dumani dhe tha se bashkë me qytetarët shqiptarët që duan t’i japin fund pandëshkueshmërisë, ata qëndrojnë krah SPAK.
Me interes mbetet të shihet se cili do të jetë qëndrimi i diplomatit të lartë David Wisner, pasi edhe përfaqësuesit e tjetër të vendeve europiane i kanë dënuar këto sulme.
/a.r