Deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu tha në emisionin Now në Euronews Albania se bllokimi i qindra shqiptarëve të Kosovës në kufirin me Serbinë është hakmarrje e pastër e presidentit Vuçiç ndaj votës pro për Kosovën në KiE.
Ajo u shpreh se ekziston rreziku që pas 16 majit, nëse Kosova votohet si anëtarja më e re e KiE, situata mund të shkojë përtej mbajtjes peng të 300 e më shumë qytetarëve të Kosovës.
“Mendoj se është periudhë kritike kur BE më shumë se asnjëherë tjetër të tregojë shumë kujdes sa i përket qasjes ndaj Serbisë, se fakti qe kanë qenë shumë të sjellshëm me Serbinë edhe pas Banjskës u ka krijuar idenë se mund të vazhdojnë me këto ide të çmendura edhe në vitin 2024. Po ashtu, bashkësia ndërkombëtare duhet të zgjohet dhe të tregojë paanshmëri. Ky është një sinjal që diçka e tillë mund të përsëritet”, tha Kryeziu.