Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani kanë përgëzuar Asamblenë e KiE që votoi pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.
Fjalën e fundit e thotë Komiteti i Ministrave në muajin Maj, që me gjasë do të rikonfirmojë vendimin e Asamblesë së KiE.
Për Kryeministrin Albin Kurti, kjo është një fitore e demokracisë.
“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë. Nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut.
Edhe për Presidenten Vjosa Osmani, votimi i sotëm i Asamblesë së KiE për Kosovën është një vendim historik.
“Sot Kosova shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj evropian. Votimi i sotëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një dëshmi e përkushtimit tonë për drejtësi, barazi dhe për parimet themelore të demokracisë. Falenderim nga zemra të gjithë atyre që nëpërmjet votës PËR mbështetën të gjithë qytetarët e Kosovës dhe kauzën tonë për të drejta të njeriut. Urime Kosovës dhe të gjithëve që kanë kontribuar në këtë arritje historike! Edhe një hap drejt anëtarësimit të plotë”.
/a.r