Nga Mero Baze
Ka një konspiracion mbarë popullor që Ilir Meta është njeri normal, po bën vetë si i çmendur. Marrëzia ka mbërritur deri në debate serioze televizive, ku njëri thoshte se ai bën si budalla se do të tërheqë të rinjtë në Tik Tok, tjetri thoshte do të tërheqë vëmendje, apo të shtojë fansat në rrjetet sociale etj.
Pra sipas tyre, të rinjtë shqiptarë po bëre si i çmendur, të ndjekin dhe të votojnë dhe akoma më keq, nëse të shtohen klikimet ngaqë bën si budalla, të shtohen dhe votat.
Problemi që ka Ilir Meta, ashtu si paraqitet, ka të bëjë me faktin se është i padobishëm si njeri e jo më si udhëheqës, dhe nuk kanë çfarë i duhen teoritë e tjera konspirative.
Asnjë i ri shqiptar nuk ka ëndërr që të ketë udhëheqës njërin që ngjitet nëpër hekura apo që shfaq paranoja publike dhe për familjarë të tij.
Nëse kemi ndonjë të ri shqiptar që e adhuron këtë sjellje, thjesht kemi një të sëmurë më tepër, por jo një votues më tepër.
Po ashtu nuk mund të fyejmë shoqërinë tonë, vetëm për të justifikuar Ilir Metën, duke thënë se kështu ai rrit klikimet.
Rrit klikimet për çfarë? Për t’u dukur budalla? Në rase të tilla njerëzit e shtëpisë i kyçin brenda njerëz të tillë dhe nuk i lënë t’i shikojë bota.
Shoqëria jonë nuk është aq e degraduar sa të ketë uri për një figurinë të tillë. Shoqëria jonë ka nevojë për ide të reja dhe udhëheqës me vizion të ri, që të bëjnë interesante jetën e tyre dhe jo për gaztorë që i argëtojnë me budallallëqe të tyre.
Një tjetër kategori ka shpikur teorinë se këtë e bën nga frika e drejtësisë, që të duket si budalla. Kjo është dhe më qesharake. Edhe Roberto De Niro nuk ka aftësi ta luajë budallain aq mire, e jo më Ilir Meta.
Nëse Ilir Meta ka probleme me drejtësinë, meqë është në proces hetimi, ai po hetohet për periudhën kur ka qenë normal dhe ka drejtuar vendin. Dhe drejtësia nuk do gjykojë aftësitë e tij mendore sot, ato vlerësohen tek spitali psikiatrik.
Ai do hetohet për sjelljet e tij si zyrtar i shtetit në të shkuarën. Kjo as e lehtëson, as e rëndon, thjesht mund t’i lehtësojë atij emocionet kur t’i shqiptojnë dënimin, pasi zakonisht njerëz të tillë nuk impresionohen ngaqë nuk e kuptojnë se çfarë ndodh rreth tyre.
Por budallallëku nuk të bën imun ndaj drejtësisë. Të bën imun vetëm ndaj ndjenjës së turpit. Për ato po.
Dhe së fundmi, problemi më i madh qëndron tek fakti se shoqërisë i duket argëtuese gjithë kjo që ndodh me të dhe ish- partinë e tij, me paranojat që ai ka për të përjashtuar, apo për të etiketuar grupe armiqësore brenda tij.
Ai sillet sikur ka një parti me 300 mijë anëtarë dhe po heq ca vetë. Ai ka vetëm disa vetë që u vjen turp të ikin prej tij dhe ata po i denigron. Dhe mendo që po sulmon njerëzit më besnik e të përkushtuar ndaj tij.
Kjo tregon se ku na ka katandisur regjimi jonë i partitokracisë, sa je i detyruar t’i bindesh edhe një të marri kur të heq nga partia pa asnjë shkak dhe nuk mbrohesh dot në rrugë demokratike.
Merre me mend ç’mund të të bëjë këtu një lider që nuk është i çmendur, por thjesht autokrat. Kjo tregon se këtu po të ketë vulën e partisë të hedh në rrugë dhe Ilir Meta. Shikoni si po japin dorëheqje njerëzit e fyer prej tij, në vend që të mblidhen e ta heqin atë dhe ta çojnë të qetësohet në një klinikë.
Dhe këta janë problemi më i madh i shoqërisë sonë, se Ilir Meta. Në çdo vend ka një njeri si Ilir Meta, por nuk ka një shoqëri si e jona që e justifikon, nuk ka një alibi në shtyp që ai është “aktor” dhe mbi të gjitha, nuk ka një parti që i bindet sikur të jenë të gjithë një çmendinë.
Mero si gjithnjë me logjikës në tokë.
Urime.