Kroacia është tronditur nga një tragjedi pak ditë më parë, pasi një 29-vjeçare shqiptare ka shkaktuar një aksident me dy viktima në zonën e Ratacit.
Klevisa Ymeri, ka parakaluar ilegalisht në zonën e Ratacit dhe është përplasur kokë më kokë me një automjet në të cilin ndodheshin dy të rinj, vëlla dhe motër: 21-vjeçari Stjepan dhe 19-vjeçarja Katarina Derek.
Shqiptarja ka qenë duke lëvizur me një fuoristradë BMW me targa sllovake e me shpejtësi gati 170 km/h kur është përplasur me makinën e të rinjve që kanë humbur jetën në vendngjarje.
Vetë e reja shqiptare ka pësuar lëndime të lehta dhe për këtë arsye është transferuar në repartin e kirurgjisë abdominale në Spitalin e Përgjithshëm të Dubrovnikut.
Pas aksidentit dhe daljes nga Spitali i Përgjithshëm i Dubrovnikut, shqiptarja është arrestuar dhe marrë në pyetje.
Gjykata e Qarkut të Dubrovnikut ka caktuar masën e paraburgimit 30 ditor për shqiptaren Ymeri. Ajo akuzohet për parakalim krejtësisht të pakujdesshëm dhe shkaktimin e një aksidenti ku humbën jetën dy të rinj.
Përveç rrjeteve sociale, ku publikon foto/video nga jeta luksoze që bën, e reja shqiptare njihet edhe për surprizën që në vitin 2022 i bëri mikut të saj në burgun e Trentos në Itali. Ajo së bashku me disa shqiptarë të tjerë, surprizuan të burgosurin për ditëlindje me fishekzjarre dhe altoparlant./m.j