Kryeministri Edi Rama thotë se në Himarë ka probleme me regjistrimin e pronës, por se kjo është një problematikë që haset edhe në bashki të tjera.
Në emisionin “Real Story” në ABC News me gazetarin Sokol Balla, Rama u shpreh se Himara është në proces transformimi dhe se nuk mund të krahasohet me Himarën e 10 viteve më parë.
Rama shtoi se nuk ekziston një problem pronësie ekskluziv për Himarën.
Sipas kreut të qeverisë, ky është një mit i ngritur nga politika e mbrapshtë dhe nga një seksion i saj.
Pjesë nga intervista
Sokol Balla: Me shumë himariotë që unë flas, thonë që poshtë këtij konflikti ka një bazë, pakënaqësia e madhe e himariotëve për mënyrën se si bashkia adresoi, por edhe qeveria qendrore, ka adresuar çështjen e pronave. Shumë ose disa afera korruptive, disa prej të cilave po hetohen një prej tyre është ajo për të cilën është pas hekurave kryetari i bashkisë z.Goro. Ka njerëz të lidhur me maxhorancën tuaj që edhe sot janë në hetim, janë marrë masa, sekuestro. Ka një debat për mandatin e një prej deputeteve tuaja. Mendoni se kjo është mënyra se si maxhoranca po përballet me afera të presupozuara korrupsioni, pasi janë procese ende në hetim, a mendoni se maxhoranca duhet ta rishohë pak mënyrën se si ajo duhet të shtojë filtra për të ulur hapsirat të cilat i mbush korrupsioni?
Edi Rama: Është gjithmonë një bisedë që realisht më bën për të qeshur se nuk qaj dot për faktin se sot drejtësia po vepron falë luftës që ka bërë kjo maxhorancë që ta sjellë drejtësinë në kushtet që të veprojë.
Sokol Balla: Po a është mjaft?
Edi Rama: Është shumë e rëndësishme të kuptohet kjo. Thënë kjo, unë personalisht sa herë që drejtësia vepron dhe sa herë që njerëz që janë të lidhur me pushtetin janë të lidhur me një funksion publik shkojnë përpara drejtësisë, nuk mund të them që lumturohem sepse s’mund të të vijë mirë asnjëherë. Por ama nga ana tjetër, duke e parë jo nga pikëpamja njerëzore, por nga pikëpamja institucionale, sigurisht që për mua kjo është pjesë e rezultateve që po sjell një proces, për të cilin unë luftova me shumë këmbëngulje dhe një mijë herë të kthehesa pas, një mijë herë do kisha bërë të njëjtën gjë. E dyta, unë nuk e di se në cilën luftë dhe cila ushtri në historinë e njerëzimit kur shkon në një luftë, nuk ka probleme me tradhtarë, me frikacakë, me shkelës të rregullave dhe normave, me individë që marrin dënime që në kohën e luftës janë shumë më të rënda, nuk ka probleme me elementë edhe në komandën e përgjithshme që kanë të tjera qëndrime etj etj. Në cilën? Kjo nuk ndodh. Tani këtu jemi në kushtet kur diskutohet sikur është përgjegjësi dhe është faj madje dhe madje jo vetëm është përgjegjësi dhe faj, por më në fund po del përgjegjësia e faji i të gjithëve ne. Ndërkohë që ne jemi ata që kemi çuar PS në luftë për Shqipërinë. Pra, PS është një ushtri në luftë për Shqipërinë. Në Himarë ka probleme? Po, ka probleme, po ku nuk ka probleme, në cilën bashki të Shqipërisë nuk ka probleme në aspektin e arsyeve të njerëzve për të patur rezervat e tyre.
Sokol Balla: Jam dakord, por mos harroni, qeverisni kudo ju.
Edi Rama: Po pra po, në cilën bashki nuk ka probleme, mund të qeverisë kush të dojë. Ne, ata le t’i vijnë nga Hëna, do ketë gjithmonë probleme sepse qeverisja askund dhe asnjëherë nuk është perfekte dhe nuk ka as çelësin magjik. Në Himarë, po ka probleme me regjistrimin e pronës, por ka probleme me regjistrimin e pronës edhe Malësi të Madhe, edhe në Kukës, në vende të tjera.
Së dyti, patjetër që Himara është një bashki që ka problemet e veta, por të gjitha bashkitë kanë problemet e tyre sepse është proces transformimi, është proces ndryshimi, është proces ku regjistrimi i titujve të pronësisë, është me probleme edhe sot e gjithë ditën për njëmijë e një arsye që nuk është vendi ti shpjegojmë, por nga ana tjetër Himara sot nuk krahasohet fare me Himarën që ishte përpara 10 vjetësh. Himara sot është një realitet komplet tjetër. Himara sot shkëlqen në shumë aspekte. Himara sot është destinacion turistik ndërkombëtar. Himara sot është një vend që ka prodhuar pasuri për himariotët, sepse në fund të ditës mund të diskutojmë sa të duam dhe nuk dua të hyj në detaje, por pronat në Himarë nuk grabiten. Kjo nuk ndodh që pronat të grabiten dhe t’i marrin disa oligarkë, sic thonë. Pronat në Himarë dhe në të gjithë Shqipërinë shiten dhe të gjitha ndërtimet që bëhen në Himarë, janë me kontrata shitjeje që janë gjithmonë e më mbresëlënëse për nga çmimi me të cilin shitet metri katror sot në Himarë. Bëhet fjalë për çmime që në një pjesë të vijës bregdetare janë më të larta se në Korfuz dhe këto të ardhura sigurisht që shkojnë te familjet himariote. Sigurisht që në tërësinë e këtyre transaksioneve patjetër që nuk e diskutoj fare që ka transaksione të mbështetura mbi veprime të kryera në hipoteka në të shkuarën, por edhe rasti që u përmend, nuk dua të hyj fare në aspektin konkret, por përsëri bëhet fjalë për banorë të Himarës që kanë një kontest midis tyre për pronën dhe bëhet fjalë për një marrëdhënie private me ta. Kështu që, kur i them këto, nuk dua të minimizoj problemet, por dua të them që nuk ekziston një problem pronësie ekskluziv për Himarën, ky është një mit.
Është një mit i ngritur nga politika e mbrapshtë dhe nga një seksion i saj që ka të bëjë me atë politikanin e lodhur dhe të rraskapitur që folëm. I lodhur, i rraskapitur, por shumë efektiv në manipulimin dhe në dizinformimin e Athinës, që nuk ka të bëjë fare si mit me realitetin, sepse të njëjtin problem që e ka një himariot për të regjistruar pronën e tij në Himarë e ka një dukagjinas, një malësor në Theth, një në Kukës, një tjetër në Tepelenë dhe ky është një proces. Por po të shikojmë tërësinë, dhe ta shikojmë pikturën e madhe në pikturën e madhe, këto janë gjëra që flasin për fenomene të caktuara, por nuk janë pjesa e madhe e pikturës. Dhe kur vijmë te drejtësia, sigurisht është e padiskutueshme që këto janë rezultate të mirëpritura. Kështu duhet të ndodhë, nuk ka se si dhe pse të ndodhë ndryshe, dhe kulmi është kur thonë ‘hajdutët e Edi Ramës’, po cilët hajdutë të Edi Ramës? Nëse janë hajdutë, janë hajdutë të kësaj shoqërie që duhet të meritojnë deri në fund ndëshkimin e kësaj shoqërie përmes ligjeve mbi të cilat kjo shoqëri funksionon. Nuk janë hajdutët e njëri apo të tjetrit, sepse secili mban përgjegjësi për atë që bën kur vjen puna për raportin e tij me ligjin. Sepse nuk është as vizioni, nuk është as programi, nuk janë as qëllimet tona të përbashkëta, dhe nuk janë as bisedat dhe as ndërveprimet tona të përbashkëta, që bazohen në gjë tjetër vecse në si të bëjmë punën tonë më mirë në shërbim të njerëzve. Dhe të solla shembullin e ushtrisë.