Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, e do me çdo kusht gjatë verës transferimin e mbrojtësit shqiptar të Valencias, Shkodran Mustafi, kanë raportuar të enjten mediumet në Spanjë.
“Në listën e të preferuarve të Simeones është mbrojtësi i Valencias, Shkodran Mustafi. Futbollisti gjerman shkëlqeu prej se u transferua nga Sampdoria në Valencia. Ai është një lojtar interesant për Simeonen dhe do të plotësonte shkëlqyeshëm mbrojtjen e ekipit të tij”, shkruan “vozpopuli.com”, përcjell “Koha Ditore”.
Mustafi 23-vjeçar, që me Gjermaninë fitoi titullin e botës në vitin 2014, te Valencia u transferua në verën e vitit 2014 nga skuadra italiane, Sampdoria. Më herët ka luajtur për të rinjtë e Evertonit dhe Hamburgut. Me Valencian ka kontratë deri në verën e vitit 2019. Vlera e mbrojtësit nga Gostivari në treg sillet rreth 24 milionë euro.