Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit, Toni Gogu tha në mbledhjen e sotme të këtij këshilli, se Shqipëria ka bërë progres të prekshëm në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Tirana është bërë Kryeqyteti Evropian i Balkanit Perëndimor, këtë e tregojnë jo vetëm takimet e njëpasnjëshme në qytetin tonë, këtë e tregojnë dhe e dëshmojnë jo vetëm deklaratat e Presidentes së Komisionit, e Komisionerit të Zgjerimit, e presidentëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, por këtë e dëshmon çdo evropian i thjeshtë që mbërrin në Tiranë dhe që shikon një shoqëri e cila lëviz me shumë intensitet dhe përballet me sfidat europiane njësoj si vendet anëtare”, tha Gogu.
Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit vlerësoi gjithashtu edhe dialogun e rigjetur me opozitën, sidomos kur është fjala për procesin e integrimit në BE.
“Nuk duam ta përdorim ne integrimin evropian për ta arritur suksese personale. Ky proces i shërben para së gjithash Shqipërisë”, deklaroi Gogu.
Ai përmendi edhe marrëveshjen e arritur para disa ditësh midis Presidencës së Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian për planin e rritjes, i cili është shtegu i vetëm jo vetëm i integrimit rajonal në një treg të vetëm, por është gjithashtu udhërrëfyesi drejt aksesit të zgjeruar të Bashkimit Evropian.
Duke u ndalur te reforma në drejtësi, Gogu theksoi progresin e pakthyeshëm që ka bërë Shqipëria.
“Natyrisht që ky progres po fillon të ndihet jo vetëm në sallat e gjyqeve shqiptare, por gjithashtu në jetën e përditshme të çdo qytetari shqiptar. Jemi të padurueshëm që ta shohim që ai të jetë një realitet edhe më i prekshëm, të jetë një realitet edhe më i qenësishëm, të jetë një realitet edhe më shpresëdhënës dhe më optimist, pa diskutim, por është i pamohueshëm progresi që shoqëria jonë ka bërë me shëmbëllimin e drejtësisë evropiane në mesin tonë”, tha Gogu.
Shqipëria ka konfirmuar tashmë që është një partner i besueshëm në rrugën drejt i integrimi rajonal në Bashkimin Evropian tha më tej nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit.
Gogu vlerësoi gjithashtu edhe ekipin negociator të Shqipërisë dhe gjithë punonjësit e institucioneve shtetërore që kanë marrë pjesë në procesin screening.
/a.r