Ekonomisti Dritan Shano i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV tha se reforma në drejtësi deri më tani ka prodhuar mesazhe por ende jo drejtësi.
“Sot Shqipëria nuk ka opozitë. Opozita është duhet të jetë një nga këmbët e pushtetit, madje ajo më e shkurtra që e lëviz gjithë tavolinën, në mënyrë që kush ka pushtetin të nxjerrë letrën e t’ia vendosë që të ndërpresë zhurmën. E thënë kjo në mënyrë metaforike.
Në Shqipëri ka një grumbull njerëzish, janë të njëjtët politikanë, biznesmenë që kanë përfituar prej tyre dhe disa pronarë të tjerë, përfshirë dhe të mediave. Dhe nëse vendi është i pazhvilluar, është pikërisht prej këtyre njerëzve. Sepse atyre nuk u intereson të modernizojnë politikën, ta bëjnë atë më përfaqësuese e aq më tepër ta bëjnë atë llogaridhënëse.
Ata janë vënë me shpatulla pas murit nga reforma e nisur nga SHBA. Por deri më tani reforma në drejtësi ka prodhuar mesazhe, ende jo drejtësi. Mesazhe që përcillen në popullsi që në Shqipëri nuk ka më të paprekshëm. Deri këtu kemi arritur, te mesazhet. Drejtësia është një akt: dënohesh. Gjithçka që vjen deri këtu është një proces. Njerëzit po presin drejtësinë, që në fakt po vonon të vijë”, u shpreh zoti Shano/m.j