Arben Malaj, një prej figurave të njohura të socialistëve, që ka mbajtur jo pak poste të larta si deputet, ministër dhe anëtarë kryesie, shprehet në mbështetje të vendimit për referendum që u votua Kongresin e PS-së me 9 mars. Në një intervistë për “Panoramën”, Malaj shprehet se debatet e brendshme s’duhet të krijojnë kriza permanente.
“Referendumi ka legjitimitetin e votës mbështetëse të Kongresit. Ballafaqimi i alternativave për të cilat do të votohet nuk duhet të jetë një luftë e përditshme mediatike. Aksesi mediatik i Kongresit, si edhe diskutimet dhe debatet televizive rreth tij kanë krijuar mundësinë që votuesit të jenë të informuar për argumentet pro dhe kundër. Kjo mund t’i shërbejë një procesi votimi dhe certifikim rezultati sa më të qetë”, thotë Malaj.
Sipas tij, mënjanimi i disa figurave të vjetra në PS-së si Maqo Lakrori, Ndre Legisi, Marko Bello, apo dhe Luan Hajdaraga etj., lë vend për reflektim.
“Shumë prej kolegëve kanë kontribuar në historinë 25vjeçare të PS. Ndoshta ata e mirëpritën mesazhin e Ruçit se partia mund të ketë gabuar ndonjëherë. Gjeneratat në PS duhet të jenë sa më harmonike. Të rinjtë janë promotorë të ndryshimeve, ndërsa rezultatet arrihen kur bashkëpunimi midis gjeneratave është i natyrshëm”, ka nënvizuar Malaj.