13 persona kanë rënë në pranga në kuadër të operacionit ndërkombëtar policor të koduar “Sammogia”. Operacioni, i iniciuar nga Policia italiane, u zhvillua njëkohësisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani.
Tre persona u arrestuan në Vlorë pasi për ta ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” nga gjykata italiane.
Gjatë operacionit u vunë në pranga shtetasit Landi Kalemaj, Floriant Muho dhe Ledjon Muho.
Ndërkohë, kanë dalë edhe pamjet nga operacioni i policisë në Vlorë, ku u arrestuan personat e sipërpërmendur.
“Gjatë operacionit ndërkombëtar “Sammogia”, në total, në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u arrestuan 13 shtetas.
Si rezultat i partneritetit shumë të mirë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese italiane, të konkretizuar me shkëmbim intensiv informacionesh dhe operacione të njëpasnjëshme të përbashkëta, me objektiv kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, Departamenti i Policisë Kriminale/Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe me Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, finalizuan operacionin ndërkombëtar të koduar “Sammogia”.
Gjatë këtij operacioni të zhvilluar paralelisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u lokalizuan në Vlorë, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit L. K., 52 vjeç, F. M., 38 vjeç dhe L. M., 33 vjeç.
Për të tre këta shtetas, Gjykata e Bolonjas ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale”, njofton policia.
/a.r