Deputeti i Partisë Demokratike (mbështetës i Rithemelimit), Luan Baçi, është shprehur se mazhoranca ka frikë që ish-kryeministri Sali Berisha të thirret në Komisionin Hetimor Parlamentar që pritet të ngrihet në ditët në vijim
Komentet Baçi i bëri në Euronews Albania, ku tha se nëse Berisha do të thirret në Komision, atëherë dëshmitë që ai do të japë atje do të merren për provë dhe do të dorëzohen në institucionet gjyqësore.
Baçi tha gjithashtu se PS i trembet daljes së ish-kryeministrit nga banesa, pasi sipas tij, ata ndihen të ç’armatosur për t’u përballur me të.
“Gjylameti tha se ishte dakord që të thirrej edhe Berisha, edhe Basha, e miratoi Komisioni aty. Nuk thanë se po bënin ironi. Është e udhës që të thirreth kushdo. Duhet të pyetet kushdo që ka dijeni dhe njohje. Erdhën sot shumë të organizuar për ta shmangur këtë kërkesë legjitime dhe të kërkonin zgjidhje për ironinë që kishin përdorur.
Nuk e kuptoj dot frikën që kanë dhe sidomos kur u zë në gojë emrin e Sali Berishës. Dhe po u the që do thirret Sali Berisha. Ose po doli Berisha nga banesa ku e kanë mbyllur dhe arrestuar, ata janë thuajse të ç’armatosur dhe nuk dinë si do të përballen.
Informacionet që ka Sali Berisha pak kush mund t’i ketë. Thirrja në një Komision Hetimor Parlamentar janë dëshmi që merren për provë pastaj dhe i shkojnë institucioneve gjyqësore. Berisha nuk përbën rrezikshmëri për prishje provash”, tha Baçi.